
Atilla Kardesh, ish-banori i edicionit të tretë të Big Brother VIP Kosova, është përballur me një zhvillim të papritur në procesin gjyqësor ndaj ish-bashkëshortes së tij, Drenusha Latifi. Gjykata ka lëshuar një urdhër-arrest ndaj tij, pasi ai mungoi në seancën e fundit gjyqësore të mbajtur më 23 korrik, e cila zgjati deri në orën 13:40.
Avokati i Kardesh tha në sallën e gjyqit se klienti i tij ishte detyruar të udhëtonte në Suedi për çështje që lidhen me nënshtetësinë. “Para tre ditësh më njoftoi përmes telefonit për udhëtimin. Megjithatë, deri më tani nuk më ka siguruar asnjë dëshmi për këtë lëvizje,” deklaroi ai para trupit gjykues.
Nga ana tjetër, përfaqësuesja ligjore e Drenusha Latifit e hodhi poshtë këtë pretendim, duke e quajtur të pavërtetë. Ajo theksoi se Kardesh është shtetas i Suedisë dhe Kosovës dhe nuk ka asnjë pengesë ligjore që lidhet me nënshtetësinë, duke shtuar se vetë klientja e saj kishte dhënë informacion të saktë për këtë çështje.
Pas shqyrtimit të rrethanave, gjykata vendosi të shtyjë seancën për në 25 shtator 2025, në ora 09:30, ndërkohë që për Atilla Kardesh është lëshuar një urdhër-arrest për mungesë të pajustifikuar. Gjykata sqaroi se kjo datë e re vlen si zëvendësim për ftesat standarde për të gjitha palët.