
Pas daljes nga “Big Brother VIP 4”, Jozefin Marku ka qëndruar për një kohë larg vëmendjes mediatike, por dje ai zgjodhi të flasë. I ftuar në emisionin “Live From Tirana” me Ronaldo Sharkën, Jozi ndau me publikun disa rrëfime ekskluzive mbi jetën e tij pas spektaklit, projektet muzikore që po vijnë dhe mbi të gjitha — për herë të parë — foli hapur për marrëdhëniet e tij personale.
Një nga temat më të diskutuara gjatë kohës së tij në shtëpinë e “BBVIP” ishte lidhja me Loredanën. Historia e tyre dashurore u bë shpesh kryefjalë e mediave, ndërsa edhe pas përfundimit të spektaklit, dyshja vijon të jetë në fokus të publikut. I pyetur nga Ronaldo në lidhje me zërat për një raport të përfolur mes Loredanës dhe reperit Don Xhoni, Jozi tregoi se i ka ndjekur komentet në rrjete sociale, por nuk preferoi të zhytej në detaje.
Sa i përket unazës së dasmës simbolike me Loredanën brenda shtëpisë së “Big Brother VIP”, Jozi u shpreh me një buzëqeshje:
“Nuk e di ku ka mbetur. Ka mbetur diku me ndonjë cep, por duhet të interesohem që ta kthejmë të paktën tek vendi ose tek argjendaria.”
Pyetjes më të drejtpërdrejtë të Ronaldos nëse është sot në një lidhje, ai iu përgjigj pa hezitim:
“Po, jam. Vërtet, prej disa kohësh. Nuk është pjesë e ekranit, nuk ka lidhje. Është shqiptare.”
Dhe kur u pyet nëse kanë shkëmbyer unaza, Jozi tha qartë:
“Jo, por do marrë kohën e vet.”
Një rrëfim i sinqertë, pa bujë, por me mjaft kuriozitete për fansat e tij, që duket se ende nuk janë shkëputur nga historia e tij brenda dhe jashtë shtëpisë së “BBVIP”.