
Aktorja e njohur Winona Ryder ka treguar një histori të pazakontë dhe personale nga e kaluara e saj, duke zbuluar se ka qenë e dashuruar me legjendën e kinemasë, Al Pacino. Në një intervistë për revistën Elle UK, 52-vjeçarja kujtoi momentin kur i shpalli ndjenjat aktorit gjatë xhirimeve të filmit “Simone”.
“Isha 22 vjeçe ose diku aty. Ai më la në vendin ku po qëndroja dhe i thashë: ‘E di, të dua. Jam vërtet e dashuruar me ty’. Ai më pa dhe tha: ‘Oh, zemër, jo’”, rrëfeu Winona me sinqeritet.
Ajo shtoi me ironi se vite më vonë, takoi të dashurën e tij, e cila ishte më e re se vetë ajo në atë kohë. “Unë ende luaj poker me të ndonjëherë,” tha aktorja me një buzëqeshje.
Al Pacino, i cili sot është 85 vjeç, është njohur gjithmonë për lidhjet me gra më të reja. Marrëdhënia e tij e fundit publike ishte me 31-vjeçaren Noor Alfallah, me të cilën solli në jetë një djalë në vitin 2023.