Kryetari i Bashkisë së Vlorës, Ermal Dredha, ka zyrtarizuar dorëheqjen e tij nga ky post përmes një deklarate të publikuar në rrjetet sociale. Dorëheqja e tij ishte njoftuar paraprakisht ditën e djeshme, por sot ai ka ndarë me qytetarët dhe publikun arsyet dhe reflektimet që çuan në këtë vendim.
Në mesazhin e tij, Dredha shprehet se largimi nga drejtimi i bashkisë është një akt reflektimi dhe përgjegjësie, i diktuar nga rrethana personale, familjare, politike dhe administrative. Ai thekson se dorëheqja nuk nënkupton shkëputje nga përgjegjësia publike, por është një mënyrë për të krijuar hapësirë për ide dhe energji të reja në drejtimin e qytetit.
“Shpresoj në mirëkuptimin tuaj, me bindjen që Vlora ka plotë mundësi për kontribute të vyera! Si djalë i këtij qyteti kaq të dashur, do të shërbej në çdo formë, njësoj siç kam bërë çdo ditë të karrierës sime diplomatike,” shkruan Dredha.
Ai e konsideron detyrën e kryebashkiakut si një përgjegjësi të jetuar me përkushtim të plotë, duke theksuar se ka punuar me ndershmëri dhe pranë njerëzve në ditë të mira dhe të vështira.
“Kam bërë më të mirën që kam ditur e mundur, ndoshta jo gjithmonë mjaftueshëm, por gjithmonë me ndershmëri,” shprehet Dredha, duke nënvizuar vlerat mbi të cilat ka mbështetur drejtimin e tij: transparencën, përkushtimin dhe respektin ndaj qytetarëve.
Në letrën drejtuar Kryeministrit, Dredha falënderon për bashkëpunimin institucional dhe mbështetjen përgjatë mandatit, duke nënvizuar se respekti i tij për institucionet dhe qytetarët mbetet i pandryshuar.
“Ky vendim nuk ndryshon as respektin dhe as përgjegjësinë që ndjej ndaj vendit tim dhe ndaj qytetarëve tanë,” përfundon ai.