Gjermania siguroi biletën e fundit për në gjysmëfinalet e EuroBasket 2025 me një fitore emocionuese 99–91 ndaj Sllovenisë në Riga. Franz Wagner udhëhoqi ekipin me 23 pikë, 7 rebound dhe 4 asistime, ndërsa Dennis Schroeder kontribuoi me 20 pikë dhe 7 asistime në një paraqitje të balancuar.
Sllovenia e nisi fuqishëm falë shkëlqimit të Luka Doncic, i cili realizoi 10 pikë në çerekun e parë duke i dhënë ekipit të tij epërsinë 32–21. Megjithatë, Gjermania u rikuperua, duke e ngushtuar diferencën në 51–45 në fund të pjesës së parë dhe qëndroi pranë në rezultat edhe në çerekun e tretë.
Një seri pikësh e udhëhequr nga Klemen Prepelic riktheu epërsinë e Sllovenisë në 73–64, por Wagner e afroi sërish Gjermaninë në 74–70. Doncic, i cili e mbylli ndeshjen me një statistikë mbresëlënëse prej 39 pikësh, 10 kërcimesh dhe 7 asistimesh, kaloi përkohësisht Slloveninë në epërsi 86–85, por Schroeder u përgjigj me një treshe vendimtare duke nisur një seri 7–0 për Gjermaninë. Qetësia e gjermanëve në minutat e fundit bëri diferencën, ndërsa Wagner, Schroeder dhe Isaac Bonga vulosën fitoren. Prepelic shtoi 13 pikë për Slloveninë, por ato nuk mjaftuan për të ndalur avancimin e Gjermanisë.
Në çerekfinalen tjetër ndërkohë të së mërkurës, Finlanda siguroi një biletë për në fazën gjysmëfinale pasi mposhti 93-79 Gjeorgjinë. Jantunen dhe Markanen ishin basketbollistët më të dalluar për finladezët. Në këtë mënyrë kemi mësuar edhe dy çiftet gjysmëfinaliste të Euro Basketit, me Gjermaninë që do të sfidojë Finalndën dhe Greqia që do të masë forcat me Turqinë. Të dyja sfidat do të zhvillohen ditën e shtunë.