Andrij Shevçenko mund të jetë përfshirë në një skandal dopingu me objektivin që përfaqësuesja e Ukrainës të fitonte ndeshjen e saj në Ligën e Kombeve ndaj Shqipërisë. Akuzat e rënda vijnë pikërisht nga Ukraina, ku gazetari Igor Burbas, ka bërë të ditur se kanë lindur dyshime të mëdha rreth situatës se si rezultoi pozitiv Mikhailo Mudrik në testet e UEFA-s gjatë aktivizimit me përfaqësuesen e vendit të tij.
Sipas asaj që ka treguar gazetari ukrainas, në kampin stërvitor të Ukrainës kishin filluar të shqetësoheshin për situatën e Mudrik që nuk ishte në formë para ndeshjeve me Gjeorgjinë dhe Shqipërinë. Ai bën të ditur se për të përmirësuar gjendjen e tij fizike, i janë injektuar qeliza staminale nga mjeku i ekipit përfaqësues.
Gjithçka është aprovuar nga presidenti i federatës në Ukrainë, Andrij Shevçenko, i cili e përdor metodën e injektimit të qelizave staminale vazhdimisht për të ruajtur formën e tij fizike dhe pamjen. Por nga ky injeksion para ndeshjeve ku Ukraina barazoi me Gjeorgjinë dhe pastaj mundi Shqipërinë e ku Mudrik ishte në fushë, doli edhe testi pozitiv për doping, për të cilin lojtari rrezikon 4 vite pezullim nga të gjitha aktivitetet.
Klubi i Shakhtar Donjetck është ai që ka zbuluar gjithçka, teksa po hetonte situatën pasi pezullimi i Mudrik, mund t’i kushtojë 30 milionë euro, para që priteshin nga klauzolat e ndryshme të transferimit të Mudrik te Çelsi, të cilat nuk do zbatohen nëse ai dënohet. Klubi ukrainas po merr në konsideratë idenë që të hedhë në gjyq Shevçenkon, duke e cilësuar shkaktarin e vërtetë të kësaj situate me një dëm të rëndë imazhi dhe ekonomik.