Ish-ministri i Jashtëm Igli Hasani, ka reaguar pas lënies jashtë kabinetit të ri qeveritar. Hasani e ka cilësuar këtë detyrë për 2 vite në krye të diplomacisë shqiptare, si nder e përgjegjësi teksa shpreh bindjen se rruga e vetme e qëndrueshme është forcimi i institucioneve dhe integriteti, dhe se diplomacia efikase i ka rrënjët në bashkëpunim, përmbajtje dhe besueshmëri.
“Për një diplomat, është një nder i jashtëzakonshëm, por edhe një përgjegjësi e madhe të drejtojë Ministrinë për Evropën dhe Punët e Jashtme.
Për dy vitet e fundit, pata këtë privilegj, duke u përpjekur çdo ditë ta shoh punën me sytë e kolegëve dhe të mbështes, me përulësi, shërbimin e rëndësishëm të përfaqësimit dinjitoz të Shqipërisë dhe interesave të saj në botë.
E kam kryer këtë detyrë me bindjen se rruga e vetme e qëndrueshme është forcimi i institucioneve dhe integriteti, dhe se diplomacia efikase i ka rrënjët në bashkëpunim, përmbajtje dhe besueshmëri.
Faleminderit Kryeministrit Rama për besimin e dhënë dhe urime Znj. Spiropali për këtë përgjegjësi. Mirënjohës për kolegët dhe partnerët, brenda dhe jashtë vendit, që ndanë këtë rrugëtim”, thotë ish-ministri i Jashtëm Igli Hasani.