Maks Vershtapen dha një intervistë për “Mundo Deportivo” nuk ngurroi t’i përgjigjej “testit të shpejtë”, ku duhej të zgjidhte pilotët më të mirë të Formulës 1 për çdo kategori të veçantë. Në këtë test, kampioni aktual i botës duhej të përzgjidhte pilotin më të mirë për secilën nga këto cilësi: kualifikueset, menaxhimi i garës, inteligjenca në pistë, aftësia për parakalime, mbrojtja në duel, mentaliteti konkurrues dhe karizma.
Kushti i vetëm ishte që nuk lejohej të përmendte veten, ndërsa Maksi nuk zhgënjeu, u shpreh hapur dhe iu përgjigj pothuajse të gjitha pyetjeve.
Piloti më i mirë në kualifikuese? Uf…, kjo është e vështirë, por mendoj se për momentin… Gjithmonë e kam konsideruar Sharl Lëklerkun një pilot shumë të mirë në kualifikuese.
Më i miri në garë? Nuk e di… Gjithmonë më ka pëlqyer, edhe në të kaluarën, të shoh Fernandon Alonson në garë. Është një luftëtar i vërtetë. Më pëlqen shumë kjo gjë.
Për inteligjencë gjatë garës? Inteligjencë? Gjithmonë do të zgjidhja përvojën. Jo, nuk do ta përmend veten në asnjë prej këtyre… ndaj do të zgjidhja Fernando Alonson për përvojën që ka.
Më i miri në parakalime? Edhe Sharl Lëklerk është i mirë në parakalime.
Më i miri në mbrojtje? Fernando Alonso! Është brilant në mbrojtje.
Për karizmë? (Mendon për disa sekonda) Sinqerisht, kjo nuk ka shumë rëndësi. Jo për të pilotuar një F1.
Për mentalitetin konkurrues? Fernando, pa dyshim!
Piloti më i mirë në histori të Formulës 1? Për mua, është e pamundur ta thuash. Ka shumë pilotë të mëdhenj, nga periudha të ndryshme. Mendoj se është më e rëndësishme të vlerësojmë të gjithë pilotët e mirë që kanë ekzistuar.