Me ndërhyrjen e Policisë së Shtetit, janë larguar të gjithë tregtarët ambulant që shisnin prodhime bujqësore në rrugën e Arbrit.
Nga Qafa e Buallit deri në hyrje të tunelit të Murrizit, nuk është lejuar asnjë tregtar ambulant të shesë prodhime anash rrugës. Prej tri ditësh ky aks monitorohet nga forcat e policisë të cilat nuk lejojnë rikthimin e shitësve.
Por, për këta të fundit vendimi i dëmton shumë, pasi shisnin prodhimet e tyre stinore, sepse nuk kanë mundësi t’i nxjerrin në treg në Tiranë. Medi Musta nga fshati Shkallë i Xibrit, thotë se hapja e rrugës së Arbrit ju ka sjellë zhvillim, por pengimi i shitjes së prodhimeve në afërsi të kësaj rruge po i dëmton ekonomikisht.
Sipas tij, shitja e prodhimit në Tiranë ka një kosto të shtuar dhe nuk kanë mundësi t’i dërgojnë produktet atje. Medi Musta shton se nëse nuk do të lejohen ta shesin prodhimin në afërsi të rrugës së Arbrit, do ta hedhin në zall gjithë prodhimin.
I njëjti shqetësim është për të gjithë fermerët e Xibrit, të cilët kanë kultivuar mijëra rrënjë domate.