Vllaznia dhe Partizani premton gjithmonë rivalitet. Kjo pasi mbajnë dy nga fanellat, që peshojnë më tepër dhe kanë shkruar historinë e futbollit shqiptar. Nëse nga sezoni 2020/ 21 diçka ka ndryshuar në favor të Vllaznisë për përballjet direkte, historia flet në favorin e “demave”.
Mes dy klubeve të Superiores janë luajtur 181 ndeshje në total ku 77 fitore i përkasin Partizanit. Vllaznia ndërkohë ka korrur fitore në 54 raste. Plot 50 sfida janë mbyllur me barazim. Golavarazhi është e pritshme të të jetë në favorin e kryeqytetasve. 234 gola të shënuar, kundrejt 171 të Vllaznisë. Të kuqtë nuk e fitojnë këtë takim nga dhjetori i kaluar, kur ia dolën në “Arena e Demave” me rezultatin e pastër 2-0. Po me të njëjtat shifra, Vllaznia fitoi sfidën e fundit mes dy skuadrave që u luajt në “Loro Boriçi”. Barazimi i fundit po ashtu ka sjellë gola, pikërisht katër.
Si rrallë për këtë duel, bie në sy se të paktën dy gola janë shënuar. Zakonisht kjo përballje është e njohur për skuadrat që nëse arrijnë te fitorja, është minimale. Partizani i Milinkoviç është dukshëm më i ri në moshë se Vllaznia e Martinit. 25.7 vjeç është mosha mesatare te Vllaznia, ndërsa për Partizanin është 23.4 vjeç. 35 trofe në futbollin shqiptar numëron Partizani. Në anën tjetër është me 19. Vetëm titulli kampion është çfarë mungon te kuqeblutë prej 24 vitesh, duke e kthyer në detyrim fitimin e trofeut nga tifozët. Ky takim premton tifozë të shumtë në shkallët e stadiumit.