Deputeti i Partisë së Lirisë, Tedi Blushi, në mesazhin e tij në rrjetin social facebook, e ka cilësuar mandatin që mori si kandidat në listën e mbyllur të PD në qarkun e Tiranës jo privilegj, por një sakrificë për të mbrojtur me çdo çmim lirinë, demokracinë, shtetin e së drejtës dhe vlerat e përjetshme të familjes dhe kombit shqiptar.
“Ky është gjithashtu mandati i përfaqësimit të Presidentit Ilir Meta, zëri i të cilit, edhe pse i izoluar padrejtësisht në burg politik, do të ushtojë fuqishëm në Kuvendin e ri.
Sepse beteja e tij e madhe është rikthimi i Lirisë për të gjithë shqiptarët e ndershëm dhe patriotë”, shkruan Blushi.
Postimi i plotë
Ky mandat nuk është thjesht një privilegj apo një detyrë.
Është një betim mbi Kushtetutën dhe Flamurin Kombëtar, një përgjegjësi e shenjtë për të përfaqësuar me përulësi dhe dinjitet çdo shqiptar që kërkon që zëri i tij të dëgjohet.
Ky mandat është shërbim, përkushtim dhe sakrificë, për të mbrojtur me çdo çmim Lirinë, Demokracinë, Shtetin e së Drejtës dhe vlerat e përjetshme të familjes dhe kombit shqiptar.
U përket mijëra heronjve të Partisë së Lirisë, nga Tropoja në Sarandë, dhe të gjithë opozitarëve zemërluanë që më 11 Maj votuan me guxim për Ndryshimin.
U përket atyre që çdo ditë luftojnë dhe sakrifikojnë, shpesh në kushte ekstreme, në varfëri e përballë pamundësisë, por që kurrë nuk u dorëzohen padrejtësive, sepse mbajnë gjallë dinjitetin dhe karakterin e pathyeshëm të shqiptarëve.
Ky është gjithashtu mandati i përfaqësimit të Presidentit Ilir Meta, zëri i të cilit, edhe pse i izoluar padrejtësisht në burg politik, do të ushtojë fuqishëm në Kuvendin e ri. Sepse beteja e tij e madhe është rikthimi i Lirisë për të gjithë shqiptarët e ndershëm dhe patriotë.
Me mirënjohje të thellë, falënderoj nga zemra të gjithë anëtarët e Partisë së Lirisë, burra e gra, të rinj e të reja, që me shumë sakrificë dhe besim i dhanë sot Kuvendit katër përfaqësues të vendosur për t’i bërë realitet kauzat tona të mëdha kombëtare.
Ky mandat është i juaji, dhe është betimi ynë solemn për Shqipërinë e Lirë!
()