Vakanca e Manastirliut në Kuvend, Kristaq Kume: Mandati i takon Xhemal Qefalias, jo Blerina Gjylametit – Kodi Zgjedhor keqkuptohet për përfaqësimin gjinor
Ish-kreu i Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, Kristaq Kume, ka komentuar zhvillimet lidhur me vakancën që pritet të krijohet në Kuvend pas propozimit të kryeministrit Edi Rama që Ogerta Manastirliu të kandidojë për kryetare të Bashkisë së Tiranës.
Gjatë një interviste në studion e News24, Kume theksoi se mandati i lirë në radhët e PS-së i takon Xhemal Qefalias, duke kundërshtuar zërat që përflasin Blerina Gjylametin si zëvendësuese të mundshme.
“Vendin e Ogerta Manastirliut në Kuvend e merr Xhemal Qefalia sipas ndarjes së votave në qarkun e Tiranës në 11 maj.” u shpreh Kume.
Ai sqaroi se diskutimi që po bëhet rreth përfaqësimit gjinor në këtë rast buron nga një keqkuptim i mënyrës si e trajton Kodi Zgjedhor këtë çështje. Ai u shpreh se Kodi nuk flet për “gra” apo “burra”, por për gjininë më pak të përfaqësuar dhe në këtë rast, sipas tij baraspesha gjinore nuk cenohet.
“PS ka fituar 19 mandate në Tiranë: 10 i kanë gratë dhe 9 i kanë burrat. Me ikjen e një gruaje bëhet barazim. Në këtë moment Kodi nuk flet për gjini.”
Sipas Kumes, renditja e kandidatëve në bazë të votave preferenciale është ajo që përcakton se kush e merr mandatin.
Ai gjithashtu theksoi se, ndonëse në fillim të Kodit Zgjedhor theksohet nevoja për përfaqësim gjinor në Kuvend (të paktën 1/3 e deputetëve të jenë nga gjinia më pak e përfaqësuar), kjo nuk nënkupton automatikisht që çdo zëvendësim të ruajë të njëjtin raport gjinor në mënyrë mekanike.
“Kodi Zgjedhor kërkon që Kuvendi të ketë të paktën 40 deputetë nga gjinia më pak e përfaqësuar, por kjo nuk përjashton ndarjen sipas rezultatit të votave preferenciale.”
Në përfundim, Kume u shpreh se çdo debat mbi këtë çështje duhet të bazohet në interpretimin e drejtë të ligjit elektoral, dhe jo në perceptime të njëanshme për barazi gjinore, të cilat në këtë rast nuk e ndryshojnë renditjen ligjore të kandidatëve.