Mblidhet sot Kuvendi, ja kush do të drejtojë seancën konstituive. Çfarë pritet të ndodhë

Kuvendi do të zhvillojë sot në orën 10:00 mbledhjen e parë të Legjislaturës XI, në zbatim të dekretit të Presidentit të Republikës.

Megjithëse me moshën më të madhe, doktor Sali Berisha nuk do ta drejtojë seancën konstituive, pas një refuzimi. Një tjetër mjek do ulet në krye Parlamentit për pak orë në të drejtuarin seancën dhe betimit.

Ai është mjeku Vasil Lajo, një prurje e re në grupit parlamentar socialist. 67-vjeçari e pranoi këtë rol të përkohshëm, pasi dy deputetët më të moshuar se ai, Sali Berisha dhe Tritan Shehu të Partisë Demokratike refuzuan ta bëjnë këtë. Në Kuvend kanë nisur përgatitjet për seancën inauguruese të ditës së premte. 140 deputetët e legjislaturës së 11 do të hyjnë në Parlament paradite, teksa i mirëpresin rojet ceremoniale dhe himni kombëtar. Deputeti Llajo do të çelë seancën konstituuese dhe do të ngrihet një komision për verifikimin e mandateve.

Ai do të shqyrtojë dosjet e deputetëve të sjella nga Komisioni Qendror i Zgjedhjeve, proces ky me natyrë burokratike. Derisa komisioni të bëjë punën e tij, deputetët e rinj do të largohen dhe do të rikthehen pasdite. Në pjesën e dytë të seancës plenare, drejtuesi Llajo do të thërrasë një nga një emrat e 140 deputetëve për t’u betuar. Më pas, mazhoranca socialiste do të propozojë emrin për kryetar Kuvendi, i cili gjithsesi do të jetë mësuar një ditë më parë, kur kryesocialisti Edi Rama ta shpallë në mbledhjen e partisë. Kuvendi do të organizojë një votim të fshehtë me fletë votimi letre dhe kuti, ku votat do të numërohen një nga një.

Komisioni do të shpallë kryetarin e zgjedhur të Kuvendit dhe në këtë moment, Llajo do t’i lirojë vendin drejtuesit të vërtetë të Parlamentit, i cili do të mbajë fjalën zyrtare. Në të gjitha këto pjesë të seancës plenare të së premtes nuk lejohet debat me opozitën. Në një seancë tjetër, që parashikohet të jetë të hënën, Kryeministri Edi Rama do t’i parashtrojë Kuvendit qeverinë e tij dhe programin qeverisës. Vetëm pasi parlamenti të votëbesojë kabinetin, ministrat e qeverisë “Rama 4” do të shkojnë për dekretim dhe betim tek Presidenti i Republikës, Bajram Begaj.


Arena e Lajmit

Ju mund të regjistroheni në buletinin tonë të lajmeve plotësisht falas

Mos e humbisni mundësinë për t'u informuar për lajmet më të fundit dhe eksluzive, filloni tani abonimin tuaj falas me e-mail.

Welcome

Instalo aplikacionin tonë
×