Tekniku i Egnatias, Edlir Tetova dha mendimin e tij para ndeshjes ndaj Bylisit.
Sa ju ka vlejtur pauza prej dy javësh për kolaudimin e skuadrës? Sigurisht që ishte një pauzë në momentin e duhur, si për të marrë veten nga ndeshjet e Europës edhe nga dy ndeshjet e kampionatit. Duke qenë se kemi bërë edhe afrime të reja në merkato, na vlejti edhe për këtë motiv.
Çfarë prisni nga dueli me Bylisin? Është një transfertë e vështirë, sepse Bylisi ka qenë një kundërshtar i vështirë, ndonëse nuk ka pasur rezultate të mira ndeshjet e fundit. Kjo nuk do të thotë asgjë, sepse është një kampionat i ri dhe ne shohim vetëm për tri pikët në Ballsh.
Kundërshtari ka ndryshuar shumë, me tetë lojtarë të huaj në formacion. Sa të vështirë e keni ta lexoni? Më shumë sesa te Bylisi, përqendrimi duhet të jetë tek skuadra jonë, tek ajo që ne duam për të zhvilluar futbollin e Egnatias. Ky është pikësynimi i parë. Kjo që thashë ju vlen, sepse skuadra ka ndryshuar, me shumë lojtarë të huaj dhe ka vështirësitë e saj.
Një pikë në dy ndeshjet, a ka ardhur momenti që Egnatia të marrë fitoren e parë në kampionat? Kemi pasur luhatje dhe nuk kemi bërë shumë mirë në rezultat. Një ndeshje e parë me një lojë jo shumë të mirë, tek e dyta kemi shkuar më afër asaj që kërkoj unë. Rezultati do të vijë ndeshje pas ndeshje.
Si është gjendja e skuadrës dhe sa jeni gati për këtë transfertë? Skuadra nuk është e plotë, sepse siç e dini janë dy kartonë të kuq. Fernandon e kemi pasur të dëmtuar një javë, ka vetëm katër ditë me skuadrën, por mendoj se do të jetë i gatshëm.
Sezonin e kaluar i keni fituar të katër ndeshjet me Bylisin. Mendoni se do e ruani këtë trend, apo i druheni një kolegu me eksperiencë si Mirel Josa? Bylisi vjet ishte një skuadër tjetër me trajner tjetër. Tani është kampionat i ri, me skuadrat që kanë objektivat e tyre. Njëkohësisht kanë një emblemë të trajningut dhe është një sfidë për t’u vlerësuar më shumë se zakonisht.
A ju shqetëson starti i golave, me vetëm një të shënuar? Kemi qenë para portës, rastet i kemi pasur, por ne do të shohim ndeshje pas ndeshjeje që të kolaudojmë ekipin, sepse reparti sulmues është ndërruar i gjithë.
Cilat shihni pretendentët kryesorë për titullin? Fokusi im është tek Egnatia. Ekipet kanë bërë lëvizjet e tyre, me objektivat e tyre.