PD ka denoncuar se përmbytjet katastrofale në Durrës janë rezultat i keqpërdorimit sistematik të fondeve publike.
Në një deklaratë për mediat, zëdhënësja e Antikorrupsionit në Partinë Demokratike, Genta Vangjeli, theksoi se ndërsa qytetarët vuajnë dëmet e shkaktuara nga përmbytjet, miliona euro nga Bashkimi Europian dhe buxheti i shtetit janë përdorur për interesa të ngushta, përmes kompanive që lidhen me zyrtarë lokalë dhe pushtetin qendror.
Vangjeli kërkoi dorëheqjen e menjëhershme të kryetares së Bashkisë Durrës, Emirjana Sako.
Sipas saj, kompania Adriatik sh.p.k., në pronësi të familjes së ish-kreut të UKD-së Spartak Kovaçi, është përfshirë në zbatimin e disa projekteve infrastrukturore që nuk kanë sjellë përmirësime reale, por vetëm kanë thelluar dështimet.
Deklarata:
Reshjet intensive të paralajmëruara këtë javë kanë sjellë një tjetër përmbytje të rëndë në qytetin e Durrësit, duke shkaktuar dëme të jashtëzakonshme për qytetarët.
Kjo situatë dëshmon edhe një herë dështimin sistematik të institucioneve për të garantuar siguri dhe infrastrukturë funksionale, pavarësisht premtimeve dhe fondeve të alokuara ndër vite.
Në këtë kontekst, dorëheqja e Ermal Dredhës është një hap i domosdoshëm, por jo i mjaftueshëm.
Kësaj përgjegjësie duhet t’i bashkohet edhe Emirjana Sako, e cila ka mbajtur detyrën e kryetares së bashkisë ndërkohë që qyteti ka vuajtur pasojat e menaxhimit të dobët të burimeve dhe fondeve publike.
Ndërkohë, kryeministri Edi Rama vijon të jetojë në një realitet paralel, ku vizioni për një port turistik në Durrës fshihet pas pamjeve të rënda të përmbytjeve, që janë realiteti i qytetarëve.
I kujtojmë publikut se fondet për përmirësimin e infrastrukturës kanë ekzistuar, por ato kanë përfunduar në xhepat e zyrtarëve të lidhur me pushtetin.

Nga një investigim i kryer prej nesh rezulton se në qendër të zbatimit të disa prej projekteve infrastrukturore ka qenë shoqëria Adriatik sh.p.k, në pronësi të familjes së ish-kreut të UKD, z. Spartak Kovaçi.

Disa nga projektet përkatëse përfshijnë:
- 10 milionë euro grant nga Komisioni Europian për ndërtimin e rrjetit të ujërave të zeza nga përroi i Agait (Shkëmbi i Kavajës) – Ura e Dajlanit- deri te impianti në Shënavlash, i realizuar nga kompania italiane Giovanni Putignano & S.r.l dhe firma shqiptare Adriatik sh.p.k.
- 19.7 milionë euro për rehabilitimin e rrjetit në zonën Porto Romano–Keneta dhe sistemimin e ujërave të shiut në zonat urbane të qytetit të Durrësit, me kontratën nr. 70/3, datë 19.01.2022, ku zbatues ka qenë sërish Adriatik sh.p.k.
- 400 mijë euro të tjera për sistemimin e ujërave të bardha në rrugën ‘Taulantia’, me kontratë të datës 24 nëntor 2022, me zbatues Adriatik sh.p.k.
Të dashur qytetarë, sa kohë Shqipëria do të përfaqësohet nga Edi Rama, përmbytjet dhe dështimet infrastrukturore nuk do të jenë përjashtim – por rregull.

Ftojmë institucionet përkatëse, të nisin një hetim të plotë dhe të paanshëm mbi keqpërdorimin e fondeve publike dhe konfliktet e interesit që kanë dëmtuar rëndë qytetarët e Durrësit dhe jo vetëm.