“Deklaratat e Farage marrëzi”, Rama për radion britanike: Pa shqiptarët, ku do t’i gjeni njerëzit që ju ndërtojnë shtëpitë dhe drejtojnë kamionët e taksitë?

Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, ka reaguar ndaj deklaratave të liderit të partisë Reform UK, Nigel Farage, në Britaninë e Madhe. Ai i ka cilësuar ato si të pavërteta dhe fyese.

Rama – në një intervistë për radion britanike Times Radio – e ka quajtur “marrëzi” pretendimin e Farage se “1 në çdo 50 shqiptarë në Britani është në burg”.

Deklarata të ngjashme nga politikanë britanikë që lidhen me emigracionin, Rama i ka konsideruar po ashtu populizma si pjesë e një fushate më të gjerë. Dhe që, sipas tij, ndikuan në referendumin për daljen e Britanisë nga BE.

“Nuk ka një numër të lartë të shqiptarëve të dënuar në Mbretërinë e Bashkuar që të veçohen nga totali i të burgosurve apo nga shtetasit e vendeve të tjera. Këto janë pjesë të një mozaiku më të gjerë gënjeshtrash dhe argumentesh mashtruese që iu servirën qytetarëve britanikë për t’i bindur të dalin nga Bashkimi Evropian”, ka thënë Rama.

Ai gjithashtu ka ravijëzuar se shumë sektorë të rëndësishëm në Mbretërinë e Bashkuar do të kishin vështirësi serioze për të funksionuar pa punën e emigrantëve shqiptarë.

“Ku do t’i gjeni njerëzit për të ndërtuar shtëpitë tuaja, për t’ju shërbyer kafen, për të drejtuar taksitë dhe kamionët tuaj”.

Rama po ashtu ka përsëritur ftesën publike drejtuar Nigel Farage për të vizituar Shqipërinë dhe për të parë nga afër realitetin e vendit.

“Ai ka thënë se do të vijë për një vizitë, dhe unë do të jem shumë i lumtur ta takoj. Është një mundësi e mirë për të njohur nga afër një njeri me shumë talent e inteligjencë, pavarësisht nga teatraliteti i tij politik, dhe për t’i treguar bukuritë e Shqipërisë. Mbase e bindim ta zgjedhë Shqipërinë si destinacion për pushimet e tij”.

Dy muaj pas pranimit të ftesës nga kryeministri Edi Rama, deputeti britanik njoftoi se do të takohet për drekë me kreun e qeverisë shqiptare për të diskutuar rreth deportimit të kriminelëve të huaj, një çështje që sipas tij përbën kërcënim për sigurinë kombëtare të Britanisë – si edhe duke lëshuar një provokim të radhës.

Gjatë një fjalimi përpara anëtarëve të partisë Reform UK, Farage deklaroi se takimi me kryeministrin Rama do të përfshijë edhe mundësinë e transportit të një ngarkese me persona të dënuar, ndërsa shtoi se mund të përdoret një avion “shumë i madh”. Ai theksoi se qëllimi është të ndalohet çdo kërcënim ndaj sigurisë dhe të mbrohen qytetarët britanikë, duke përfshirë vajzat dhe gratë në rrugë.

“Ne do të deportojmë kriminelë të huaj. Do të ndalojmë anijet dhe do t’i dërgojmë mbrapsht ata që hyjnë ilegalisht në vendin tonë, duke vepruar ashtu si pothuajse çdo vend normal në botë”, u shpreh Farage.

© BalkanWeb


Arena e Lajmit

Ju mund të regjistroheni në buletinin tonë të lajmeve plotësisht falas

Mos e humbisni mundësinë për t'u informuar për lajmet më të fundit dhe eksluzive, filloni tani abonimin tuaj falas me e-mail.

Welcome

Instalo aplikacionin tonë
×