Operacioni “XUEX”/ Detaje të reja nga skema piramidale që vodhi nga qytetarët, seuestrohen shuma të mëdha parash, identifikohen të arrestuarit (Emrat)

Policia e Shtetit dhe Prokuroria e Fierit kanë zbardhur detaje të reja në lidhje me operacionin e koduar “XUEX”, një hetim disa mujor që çoi në goditjen e një rrjeti të organizuar mashtrimi përmes skemave piramidale online. Në një konferencë të përbashkët për shtyp, zyrtarët e lartë të Policisë dhe Prokurorisë thanë se në total janë arrestuar 6 persona, ndërsa 2 të tjerë janë shpallur në kërkim.

Hetimet zbuluan se rrjeti funksiononte përmes platformave të rreme investimi, ku qytetarëve u premtohej fitim i sigurt dhe i menjëhershëm në këmbim të investimeve me kriptomonedha si USDT dhe TRON. Skema kishte strukturë klasike piramidale: investitorët duhet të sillnin të paktën 5 persona të tjerë për të përfituar më shumë.

Sipas zëdhënësve të Policisë, grupi përdorte grupe të mbyllura në aplikacionin Telegram për të rekrutuar pjesëmarrës të rinj dhe për t’i udhëzuar ata në lidhje me investimet dhe transferimin e fondeve.

“Kriptomonedhat janë përdorur me qëllim shmangien e gjurmimit dhe krijimin e një iluzioni sigurie. Në fakt, këto nuk ishin investime reale, por mashtrime të strukturuara,” – tha Drejtoresha e Hetimit të Krimit Kibernetik, Ervina Gjana.

Operacioni u zhvillua në Fier, Lushnjë, Divjakë, Tiranë, Dibër, Berat dhe Gramsh, me një total prej 83 kontrollesh në persona, banesa dhe biznese.

Të arrestuarit janë:

-Arbër Çela, 38 vjeç, Lushnjë

-Emanuel Taullau, 21 vjeç, Lushnjë

-Flavio Mukaj, 23 vjeç, Lushnjë

-Marius Kodra, 28 vjeç, Tiranë

-Brunilda Todi, 38 vjeçe, Divjakë

-Brunilda Ndini, 38 vjeçe, Divjakë

Të shpallur në kërkim:

-E. Sh., 35 vjeç, Divjakë

-A. Sh., 29 vjeçe, Divjakë

Të gjithë këta persona dyshohen për veprat penale “Skemat mashtruese piramidale” dhe “Mashtrim kompjuterik”.

Policia bëri të ditur se gjatë kontrolleve u sekuestruan në cilësinë e provës materiale:

-50 celularë

-11 kompjuterë

-1 DVR, 2 hard disk

-1 automjet

-4.2 milion lekë

-28 mijë euro

-1,750 dollarë

-340 franga zvicerane

-6 llogari kriptomonedhash, të ngrira si pjesë e hetimit

Autoritetet përdorën teknologji të avancuar të analizës së blockchain-it për të ndjekur transaksionet dhe për të identifikuar rrjedhën e fondeve. Sipas hetimeve, vetëm individët në nivelet e para të skemës përfitonin realisht, ndërsa shumica, sidomos pjesa fundore e piramidës, humbiste kursimet. Kjo është një nga arsyet pse policia dhe prokuroria e kanë cilësuar rastin si mashtrim të organizuar ekonomik, i cili synonte qytetarët më të pambrojtur.

“Ky rast duhet të shërbejë si paralajmërim: nuk ka fitime të sigurta dhe të menjëhershme. Pas çdo premtimi për pasurim të shpejtë, fshihet një mashtrim,” – tha prokurorja Jonida Allushi.

Policia e Shtetit i bën thirrje qytetarëve të tregojnë kujdes ekstrem ndaj ftesave për investime të dyshimta në platforma jozyrtare dhe të denoncojnë çdo rast në numrin pa pagesë 112 ose përmes platformës “Komisariati Dixhital”.

Autoritetet theksuan se hetimet nuk janë mbyllur dhe se oganizatorët e niveleve më të larta të kësaj skeme ende nuk janë ndaluar, por janë në fokus të operacioneve të mëtejshme.

© BalkanWeb


Arena e Lajmit

Ju mund të regjistroheni në buletinin tonë të lajmeve plotësisht falas

Mos e humbisni mundësinë për t'u informuar për lajmet më të fundit dhe eksluzive, filloni tani abonimin tuaj falas me e-mail.

Welcome

Instalo aplikacionin tonë
×