Fermerët e fshatit Samaticë në bashkinë e Dimalit, prej disa ditësh po përballen me një situatë të vështirë, për shkak të mungesës së tregut për shitjen e produkteve të tyre bujqësore.
Tonelata me prodhime bujqësore, domate, kastravecë dhe perime të tjera, po qëndrojnë “stok” në pikat e grumbullimit. Shkak për këtë situatë, sipas fermerëve, është bërë bllokimi i 8 tonëve domate me origjinë nga Shqipëria në Kroaci. Ata thonë se pas këtij incidenti, porositë janë ndërprerë pothuajse plotësisht.
“Kemi investuar shume, nuk po e shesim dot mallin as me çmim minimal, Prodhimet po na kalben, po i hedhim në kanal”, thotë një fermer, ndërsa një tjetër hedh akuza ndaj fermerëve që kanë abuzuar me pesticidet.
Nga ana tjetër, fermeri Marjo Bregu nuk e mohon faktin e abuzimit nga fermerë të ndryshëm në përdorimin e pesticideve të ndaluara apo dhe mbidozë pesticidesh, duke theksuar që për shkak të tyre bujqësia ndodhet në pikët kritike të saj.
“Për faj të tyre nuk na e blejnë mallin”, thotë ai.
Për këtë situatë, fermerët hedhin akuza edhe ndaj institucioneve shtetërore, të cilat sipas tyre nuk kanë ndërmarrë asnjë masë për të mbrojtur imazhin e bujqësisë shqiptare dhe për të ndihmuar fermerët në gjetjen e tregjeve alternative. Ata kërkojnë urgjentisht ndërhyrjen e Ministrisë së Bujqësisë dhe strukturave përkatëse për të shmangur falimentimin e tyre të sigurt.
()
© BalkanWeb