Juventus-Inter, derbi i Italisë duket se ka lënë pasoja të mëdha, pas suksesit 4-3 të “Zonjës së Vjetër” ndaj Interit. Edhe pse 48 orë pas supersfidës në Allianz Stadium, sërish kjo përballje klasike ngjall debate e komente me jehonën që vijon të pushtojë ambjentin sportiv në Itali e jo vetëm. Po si ka ndikuar rezultati i Debit të Italisë tek dy bigët italianë?
Juventusi i Tudor ka fituar vetëbesim, duke e pare veten në kreune renditjes me 9 pikë pas 3 javëve të para. Bardhezinjtë tashmë janë gati për debutimin në Champions League. Torinezët presin në Torino Borussian Dortmund, një nga rivalët më të fortë të kësaj faze. Fitorja do t’i jepte menjëherë një shtysë rrugës drejt 1/8-ve dhe do të shmangte rrezikun e play-off-eve, që sezonin e kaluar u kushtuan shtrenjtë.Dortmundi, si Juve, nuk ka humbje këtë sezon dhe vjen pas dy fitoreve radhazi pa pësuar gola. Por të luash në shtëpi është një avantazh i madh për Zonjën e Vjetër, larg atmosferës së zjarrtë të Signal Iduna Park. Sfida për Tudor mbetet e qartë: të ruajë soliditetin e skuadrës dhe të rrisë rrezikshmërinë në sulm. Vetëm kështu Juventusi mund të konfirmojë ambiciet e mëdha në Itali dhe Evropë.
Te Interi ndërkohë situate nuk është aspak e favorshme, teksa tek milanezët fryn erë ndryshimesh. Pas gabimeve në derbin e Italisë kundër Juventusit, portieri zviceran Yann Sommer është vënë në diskutim. Trajneri Cristian Chivu po mendon t’i japë hapësirë Martinezit në debutimin e Champions League ndaj Ajaxit. Situata kujton atë që ndodhi disa vite më parë me Handanovic dhe Onana, kur Inzaghi vendosi të ndryshonte hierarkinë në portë. Por Sommer nuk është i vetmi nën akuzë: mesazhi i Chivut është i qartë – askush nuk është i paprekshëm, luan ai që është më në formë. Edhe Lautaro dhe Barella u zëvendësuan në Torino, dhe ndryshimet sollën reagim të menjëhershëm në lojë. Tani, me tre ndeshje në një javë, Interi përgatitet për një mini-revolucion: ndaj Ajaxit pritet të shohim një skuadër me surpriza.
© BalkanWeb