Man.City trondit United në derbi, tani Amorim rrezikon shkarkimin

Në “Etihad”, derbi i Mançesterit nuk zhgënjeu as këtë herë, me City që gjen “shërim” përballë rivalëve të përjetshëm, United. “Shpërthen” në këtë derbi Erling Haaland, me biondin që realizoi një “dopietë” golash. City triumfoi me rezultatin e pastër 3-0, një trepikësh që i ngjit në tabelën e klasifikimit, ndërsa për United nuk ka shpëtim, “djajtë e kuq” vijojnë të përjetojnë “ferrin” në Angli, një ekip që ka humbur prej kohësh identitetin e tij.

Doku ishte i papërmbajtshëm në këtë derbi, me belgun që dhuroi assistin e parë për Foden në minutën e 18-të, me fantazistin anglez që me kokë brenda në zonë realizoi golin e parë. Në fraksionin dytë, Doku shërbeu për Haaland, me norvegjezin që me një parabël të ëmbël brenda në zonë dyfishoi shifrat. Me United në përpjekje për t’u rikthyer në lojë, City i kapi “mat” me një kundërsulm, ku Haaland u shkëput shpejt duke realizuar golin e tretë për “qytetarët” dhe të dytin personal, 5 gola në 4 ndeshje në Premier League për Haaland. Debutoi me një super pritje edhe Donnarumma me fanellën e Man.City.

Pikërisht fjalën e para të Guardiola-s shkuan për portierin italian dhe sigurisht Haaland: “Bëri pritje fantastike, jemi shumë të lumtur që e kemi në skuadër. Haaland? Ka qenë fantastik që nga fillimi, por këtë sezon është përmirësuar akoma më shumë. Mendoj se është më mirë edhe se sa sezoni i tripletës”, u shpreh Guardiola.

Disfata në derbi mund t’i kushtojë shumë trajnerit të United, Ruben Amorim. Pas ndeshjes, në përpjekje për t’i dalë në krah lojtarë, Amorim pranoi se ishte faji i tij për këtë humbje, ndërsa gazetarët e ngacmuan në lidhje me një shkarkim të mundshëm: “Unë nuk e ndryshoj idenë time rreth futbollit. Nëse kjo do të jetë një kërkesë e shoqërisë atëherë duhet të ndryshojnë trajner. Unë do të bëj gjithçka mundem për Man.United”, u shpreh Amorim.

()

© BalkanWeb


Arena e Lajmit

Ju mund të regjistroheni në buletinin tonë të lajmeve plotësisht falas

Mos e humbisni mundësinë për t'u informuar për lajmet më të fundit dhe eksluzive, filloni tani abonimin tuaj falas me e-mail.

Welcome

Instalo aplikacionin tonë
×