Ministri i Mbrojtjes, Pirro Vengu priti sot në Tiranë, Ministrin e Mbrojtjes së Bullgarisë, z. Atanas Zapryanov, i cili zhvilloi vizitën e tij të parë zyrtare në Shqipëri, i shoqëruar nga një delegacion i lartë.
Gjatë takimit, të dy ministrat theksuan marrëdhëniet shumë të mira mes dy vendeve në fushën e Mbrojtjes dhe Sigurisë, duke vlerësuar rëndësinë e thellimit të bashkëpunimit rajonal përballë sfidave të përbashkëta në Evropën Juglindore.
Në qendër të diskutimeve ishin projektet strategjike për industrinë dhe infrastrukturën, përfshirë Korridorin VIII dhe portin në Porto Romano, si nyje të rëndësishme për rritjen e lëvizshmërisë së forcave aleate të NATO në rajon.
Ministrat rikonfirmuan angazhimin për të vijuar kontributin e përbashkët në misionet ndërkombëtare, ku Shqipëria dhe Bullgaria shërbejnë së bashku në Forcën e Përparuar të NATO-s në Bullgari dhe në misionin KFOR në Kosovë, si dëshmi e vendosmërisë për forcimin e sigurisë dhe stabilitetit në Evropë.
© BalkanWeb