“Siguria ushqimore në Shqipëri është në rrezik”, Erisa Xhixho: Produktet e kontaminuara vazhdojnë të konsumohen nga qytetarët

Zv. Presidentja së Partisë së Lirisë Erisa Xhixho në një deklaratë për shtyp ka reaguar për për situatën shqetësuese të sigurisë ushqimore në Shqipëri,

Sipas Xhixhos produktet shqiptare që refuzohen dhe asgjësohen në vendet e BE-së dhe rajon, vazhdojnë të konsumohen gjerësisht në vend, për shkak të dështimit të institucioneve për të garantuar sigurinë ushqimore.

Ajo shtoi më  tej se  janë evidentuar raste alarmante, si kontaminimi me pesticide, parazitë dhe salmonelë, që kanë rrezikuar seriozisht konsumatorët.

Zv. Presidentja së Partisë së Lirisë  theksoi se siguria ushqimore është çështje e sigurisë kombëtare dhe ka premtuar se do të denoncojë çdo rast abuzimi me jetën dhe shëndetin e qytetarëve.

Deklarata e plotë e Erisa Xhixhos:

Të nderuar qytetarë!

Dua ta nis këtë komunikim me ju me alarmin për sigurinë ushqimore në Shqipëri. Partia e Lirisë merr ankesa çdo ditë nga qytetarë të shqetësuar për ushqimin e pasigurt që u vënë në tryezë fëmijëve të tyre.

Produktet shqiptare që bllokohen, kthehen ose asgjësohen në vendet ku eksportohen, janë fatkeqësisht vetëm maja e ajsbergut. Ato janë thjesht përgjigjja e autoriteteve të huaja për produktet që prodhohen në Shqipëri dhe që për fat të keq konsumohen gjerësisht nga qytetarët shqiptarë. Të njëjtat produkte që kthehen mbrapsht ose asgjësohen në vendet ku eksportohen, shqiptarët i vënë në tryezë, për shkak të papërgjegjshmërisë totale të institucioneve që duhet të garantojnë sigurinë ushqimore.

Që prej dhjetorit të vitit të kaluar janë pa fund rastet kur janë konstatuar produkte të kontaminuara dhe rrezikshme për shëndetin e konsumatorit. Dua të ndalem te ato që janë raportuar në media, me bindjen se qindra të tjera kalojnë çdo ditë pa u raportuar fare.

Në më pak se një vit:
* Kroacia ka refuzuar eksportin e specave shqiptarë për shkak të niveleve të larta të pesticideve
* Mandarinat e kontaminuara që nuk u lejuan të hyjnë në BE, përfunduan në tregun vendas
* Luleshtrydhet u gjetën me pesticide të ndaluara
* Në tregun shqiptar u konstatua peshk me parazit Anisakis
* Mishi i derrit dhe i pulës rezultoi i kontaminuar me salmonelë
* Akulloret rezultuan me oksid etileni kancerogjen
* Kroacia bllokoi pjeshkët shqiptare për shkak të përmbajtjes së lartë të nikelit

Në shumicën e rasteve, AKU është mjaftuar duke u thënë shqiptarëve të rrinë të qetë, se ushqimet e rrezikshme “i kanë ngrënë të tjerët”, por e vërteta e hidhur është se raste të tilla tregojnë dështimin e tij institucional.

Pak muaj më parë, kryeministri u premtoi shqiptarëve pasaportën europiane, por e vërteta është se kjo qeveri jo vetëm që nuk garanton dot sigurinë e ushqimit që ata konsumojnë përditë, por po bëhet rrezik edhe për të tjerët.

Mosfunksionimi i institucioneve që paguhen për të garantuar sigurinë ushqimore është përgjegjësi e qeverisë. Miliarda euro që dalin nga buxheti i shtetit për institucione ai AKU nuk i kanë shërbyer në asnjë moment qytetarit që paguan taksa.

Sepse, për fat të keq, detyra funksionale punonjësve që duhet të garantojnë sigurinë ushqimore, ka dalë në plan të dytë. Inspektimi i tregjeve, analizat dhe kontrollet ia kanë lënë vendin patronazhimit të votës. Për pasojë, ne përballemi përditë me produkte të kontaminuara dhe sinjale që na vijnë nga kontrollet që bëhen në produktet që shkojnë për eksport.

Shqiptarët po i helmon qeveria. Po i helmon e njëjta qeveri që i ka dëbuar dhe po i dëbon përditë. Jeta dhe shëndeti i fëmijëve tanë është në rrezik nga ushqimi i pakontrolluar.

Partia e Lirisë do ta ndjekë me prioritet këtë çështje dhe do të denoncojë me forcë çdo rast që lidhet me sigurinë ushqimore. Ne do të jemi në çdo kohë zëri i çdo qytetari që e ndien veten të rrezikuar nga papërgjegjshmëria e institucioneve.
Siguria ushqimore është çështje e sigurisë kombëtare, pasi shëndeti i qytetarëve dhe fëmijëve tanë është prioriteti ynë parësor.

© BalkanWeb


Arena e Lajmit

Ju mund të regjistroheni në buletinin tonë të lajmeve plotësisht falas

Mos e humbisni mundësinë për t'u informuar për lajmet më të fundit dhe eksluzive, filloni tani abonimin tuaj falas me e-mail.

Welcome

Instalo aplikacionin tonë
×