“Opozita të përgatisë plane konkrete, betejë jo vetëm në Parlament”, anëtarja e Këshillit Kombëtar të PD, Kuçana: Të rivendosim besimin, duhet të merremi me demokratët

Ilirjana Kuçana, anëtare e Këshillit Kombëtar të Partisë Demokratike, ka shprehur shqetësimet e saj për situatën aktuale në partinë e saj dhe për nivelin e punës në Kuvendin e Shqipërisë, ndërsa ka dhënë kritika të ashpra për opozitën në përgjithësi.

E ftuar në studion e News24, Kuçana theksoi se, ndërkohë që është krenare për fushatën që ka bërë si kandidate në Durrës, ajo nuk është e keqardhur që nuk është pjesë e parlamentit aktual.

“Kur shikoj çfarë po ndodh në parlament dhe sa ka rënë niveli i tij, nuk jam shumë e keqardhur që nuk jam pjesë e tij. Në një parlament ku ka ulur Dritëro Agolli dhe rilindas që kanë pasur vizion dhe integritet, niveli i parlamentit sot lë shumë për të dëshiruar”, u shpreh Kuçana.

Për të, ndryshimet që ka përjetuar PD dhe situata aktuale në Kuvend janë pjesë e një regjimi autokratik. Ajo kërkoi nga opozita që të përgatitet me plane konkrete, jo vetëm brenda parlamentit, por edhe jashtë tij, përmes protestave, ristrukturimeve dhe risive të PD-së. “Opozita duhet të jetë gati për një betejë që do të jetë e vështirë, sepse jemi përballë një regjimi narkotik. Ne duhet të bëjmë një ristrukturim të thellë për të rigjallëruar partinë”, theksoi ajo.

Kuçana gjithashtu kërkoi një ndryshim të thellë në modelin e PD-së, duke theksuar nevojën për një strategji të re dhe figura të reja që mund të drejtojnë partinë në betejat e ardhshme zgjedhore, përfshirë ato të vitit 2027. Ajo theksoi se elektorati gri, ai që nuk voton, është një segment kyç për të ardhmen e PD-së dhe për të sjellë ndryshimin e nevojshëm.

“Unë mendoj se për të thithur këtë elektorat na duhet një model ndryshe nga ajo që kemi bërë në katër vitet e fundit. Nuk besoj se do të na ndjekë elektorati gri nëse vijojmë me djegien e karrigeve. Duhet të ketë një vizion, një strategji, ripërtëritje të PD-së”, tha Kuçana.

Përfundimisht, ajo e mbylli intervistën duke u bërë thirrje demokratëve të rifillojnë betejën me një program të ri dhe me një angazhim të qartë për të rinovuar partinë dhe për t’u bërë një alternativë e fortë për shqiptarët. “PD duhet të merret me demokratët, PD janë demokratët. Ne kemi një borxh të madh ndaj bazës dhe strukturave të partisë. Duhet të kemi koherencë dhe moral politik, dhe të pastroni shtëpinë tonë”, përfundoi Kuçana.

© BalkanWeb


Arena e Lajmit

Ju mund të regjistroheni në buletinin tonë të lajmeve plotësisht falas

Mos e humbisni mundësinë për t'u informuar për lajmet më të fundit dhe eksluzive, filloni tani abonimin tuaj falas me e-mail.

Welcome

Instalo aplikacionin tonë
×