Deputeti i Partisë Demokratike, Belind Këlliçi, ka shprehur kundërshtimin e tij të fortë ndaj ndryshimeve në rregulloren e Parlamentit gjatë seancës së sotme, duke bërë akuza të forta ndaj shumicës dhe duke iu drejtuar kryeparlamentarit Niko Peleshi.
Në fjalën e tij, Këlliçi iu drejtua kryeparlamentarit Peleshi, duke theksuar se ky veprim po shkelte një konsensus të palëkundur që ka mbizotëruar në këtë sallë për më shumë se 30 vjet. “Po shkelni konsensusin e mbajtur për 3 dekada dhe nuk i jepni as hapësirë kolegëve tuaj për të diskutuar për komisionet parlamentare,” deklaroi Këlliçi.
Në një pjesë të fjalës, ai i bëri thirrje shumicës me ironi që të mbështesë një komision të ri, që do të merrej me “marrëdhëniet me kartelet e drogës dhe bandat”, dhe që duhet të përbëhet nga deputetë të PS, që i cilësoi si “përfaqësues ekselentë të bandave të krimit nga Elbasani, Durrësi, Shkodra dhe Tirana”.
Në përfundim, Këlliçi paralajmëroi se pavarësisht faktit që shumica mund të ketë “kartonat” për të kaluar ndryshimet në rregullore, ky debat nuk do të mbyllet këtu.
Ai tha se ky proces do të ketë pasoja për shumicën dhe do të transmetohet në opinionin publik. “Të jeni të bindur se ky debat do vijojë,” tha Këlliçi.
© BalkanWeb