Tirana po përgatitet për një nga sfidat më të vështira të fillimit të sezonit, përballjen me kampionët në fuqi, Egnatian. Bardheblutë kërkojnë të rikthehen te rezultatet pozitive dhe lajmi i mirë për trajnerin Roberto Bordin është se mbrojtësi Dembele mund të jetë gati për këtë ndeshje.
NJË ARMË MË SHUMË – Prania e Dembelesë në mbrojtje shihet si një shtysë e rëndësishme për lojën e Tiranës. Lojtari francez ka treguar se mund të bëhet vendimtar me fizikun dhe teknikën e tij, duke i dhënë trajnerit më shumë alternativa në ndërtimin e aksioneve dhe në bllokimin ndaj kundërshtarit. Rikthimi i tij pritet të balancojë lojën në qendër të fushës, aty ku Tirana ka pasur vështirësi në dy javët e fundit.
DILEMAT E DËMTIMEVE – Megjithatë, situata në kampin bardheblu nuk është aspak ideale. Katër titullarë si Falaje, Junior, Gjumsi dhe Meta vazhdojnë të jenë në dyshim dhe rrezikojnë seriozisht të mungojnë edhe përballë Egnatias. Këto mungesa, sidomos në repartin difensiv, i krijojnë jo pak kokëçarje trajnerit Bordin, i cili do të duhet të bëjë lëvizje të detyruara në formacion. Nëse këto mungesa konfirmohen, pritet që disa prej të rinjve të marrin minuta të rëndësishme, ndërsa lojtarë me eksperiencë do të duhet të mbulojnë më shumë hapësira në fushë.
KAMPIONËT – Ndeshja kundër Egnatias vjen në një moment delikat për Tiranën, që kërkon të ruajë ritmin në klasifikim dhe të mos humbasë terren ndaj rivalëve. Nga ana tjetër, rrogozhinasit janë një skuadër e konsoliduar, me një grup që luan prej kohësh bashkë dhe që di të shfrytëzojë çdo dobësi të kundërshtarit. Egnatia është treguar solide si në mbrojtje, ashtu edhe në fazën sulmuese, duke konfirmuar pse është kampionia në fuqi. Për bardheblutë, kjo ndeshje do të jetë një test i rëndësishëm për forcën dhe objektivat e tyre në këtë sezon.
© BalkanWeb