Pas vendimit të Apelit tq GJKKO e cila kërkon rikthimin në qeli të ish-kryebashkiakut të Durrësit Vangjush Dako, ky I fundit është shtruar në spitalin rajonal të Durrësit.
Në një lidhje me Log, gazetarja e Neës24, Klodiana Lala informoi se shkak i gjendjes së keqe shëndetësore është aritmia.
“Dako ka përfunduar në Spitalin Rajonal të Durrësit. Ai është gjetur në banesë kur treshja gjykuese ka firmosur vendimin.
Kur ka rënë në dijeni të vendimit, ka pësuar aritmi sipas mjekëve. Nga policia konfirmoj se Dako është duke qëndrua në kujdesin e mjekëve dhe në ruajtjen e policisë”, raporton Lala.
Gjykata e Posaçme e Apelit vendosi lënien në fuqi të dënimit të ish-kryetarit të Bashkisë Durrës me 2 vjet e 8 muaj burgim për “shpërdorim detyre”, të dhënë nga shkalla e parë, lidhur me paligjshmëritë në procedurën e dhënies së lejes së ndërtimit të një pallati shumëkatësh, si dhe për shpërdorim të fondeve publike në ndërtimin e një shëtitoreje në bregdet.
Megjithatë, përveç periudhës së qëndrimit në qeli nga arrestimi i tij më 6 qershor 2023 deri më 27 shkurt 2024, kur u lirua për shkak të mbarimit të afatit të paraburgimit, Dakos do t’i duhet të shlyejë edhe rreth 11 ditë burg, pasi pjesën tjetër e ka vuajtur në “arrest shtëpie”, që gjithashtu njihet si vuajtje dënimi.
Dako u lirua nga qelia tetë muaj pas arrestimit, pasi u konstatua se SPAK nuk arriti të përfundonte hetimet e caktuara nga gjykata brenda afateve, detyra që mbetën pas shqyrtimit të kërkesës për gjykim. Ai qëndroi në masën e sigurimit “arrest shtëpie” deri në vendimin e Apelit të martën, 16 shtator.
Sipas prokurorisë, nga përllogaritja e kryer ka rezultuar se Dako duhet të qëndrojë në qeli edhe 11 ditë, pasi pjesën tjetër e ka shlyer gjatë 9 muajve që qëndroi në paraburgim dhe periudhës tjetër në “arrest shtëpie”. Koha e paraburgimit përllogaritet si një ditë e gjysmë heqje lirie.
© BalkanWeb