Një Juve e çmendur, një ndeshje e “thriller” përballë Dortmund, 8 gola të shënuar në një pjesë loje, me dy ekipet që ndanë nga një pikë pas barazimit 4-4. Jo vetëm gola, por dhe gafa pafund në këtë sfidë të parë të Champions League. “Zonja e Vjetër” vijon rrugëtimin thuajse perfekt në këtë fillim sezoni, por Dortmund, ashtu si edhe Inter, nxori edhe një herë në pah problemet e theksuara në prapavijë.
Pas një pjesë të parë të mbyllur me rrjeta të paprekura, Adeyemi e nisi me gol fraksionin e dytë. Tudor hodhi menjëherë në fushë edhe Dusan Vlahovic, por për të rikthyer baraspeshën në “Stadium” mendoi Kenan Yildiz, me fantazistin turk që realizoi një kryevepër të vërtetë, një gol “alla” Del Piero. Festa nuk zgjati shumë pasi dy minuta më vonë, Dortmund kaloi sërish në avantazh. Ashtu siç është bërë tashmë traditë, Vlahovic është i papërmbajtshëm kur hidhet nga stoli. Në minutën e 67-të, serbi u shkëput shpejt dhe me një goditje të saktë barazoi shifrat në 2-2. Atëherë kur të gjithë prisnin reagimin e fortë të “Zonjës së Vjetër”, verdhezinjtë i befasuan me një gola, ku Couto dhe Bensebaini tronditën vendasit në Torino.
Tudor hodhi në fushë edhe Edon Zhegrovën, por për të shpëtuar Juven mendoi një super Vlahovic. Fillimisht në minutën e 3-të të shtesës, Vlahovic u shërbye saktë në zonë dhe me një prekje të lehtë dërgoi topin në rrjetë duke ngushtuar shifrat në 3-4. Emocionet nuk kishin fund në “Stadium” pasi në minutën e 96-të, Vlahovic këtë herë shërbeu një assist të pastër për Kelly, me këtë të fundit që me kokë dërgoi topin në rrjetë duke barazuar rezultatin në 4-4, një fund drithërues që e shndërroi në një mbrëmje magjike për tifozët e futbollit.
Ky takim, kjo pikë e çmendur e Juve mori faqet e para të mediave italiane: “Mendon ai. Vlahovic futet në fushë. Juve rikuperon, 4-4 me Dortmund”, shkruan La Gazzetta dello Sport. “Një Juve e çmendur, gabime dhe magji, çfarë debutimi në Champions për Tudor”, ishte titulli kryesor i Corriere dello Sport. “Po, është një Juve për t’u dashuruar”, ishte titulli kryesor i TuttoSport.
()
© BalkanWeb