Prokuroria e Gjirokastrës, Policia dhe AMP kanë zbardhur rastin e rëndë të abuzimit të një 16-vjeçareje në Këlcyrë të Përmetit, ku rezultojnë të jenë të përfshirë edhe dy policë.
Kështu, Prokuroria ka lëshuar 4 urdhra-arresti në total, prej të cilëve janë arrestuar 3 persona, ndërsa një i katërt në kërkim.
AMP njofton se në bashkëpunim me DVP Gjirokastër ka ekzekutuar urdhërat e ndalimit të caktuar nga Prokuroria Pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Gjiroksatër për dy punonjës policie të dyshuar për kryerjen e veprës penale “Ngacmim seksual” dhe dy shtetas të dyshuar për kryerjen e veprës penale “Shtrëngim me anë të kanosjes për dhënien e pasurisë”.
Në pranga ka rënë P. B., me detyrë Oficer i Patrullës së Përgjithshme në Komisariatin e Policisë Përmet.
Ndërsa A. A., me detyrë Oficer i Patrullës së Përgjithshme në Komisariatin e Policisë Tepelenë (i shpallur në kërkim pasi është larguar ditën e djeshme në drejtim të Greqisë).
Është arrestuar edhe shtetasi K. P., i dashuri i shtetases së mitur si dhe shoku i tij I. P.
AMP thekson se “pas indicies nga një postim në rrjetet sociale, strukturat e hetimit të Drejtorisë Rajonale të AMP-së në bashkëpunim me DVP Gjirokastër kanë kryer veprimet e para hetimore, ku ka rezultuar se një vajzë e mitur me iniciale K.G., e nxitur nga i dashuri i saj shtetasi K.P., dhe shoku i tij shtetasi I.P., kanë shantazhuar punonjësin e policisë A.A., duke i kërkuar një shumë monetare prej 10 milion lekë të vjetra si këmbim për të mos publikuar një video intime të tij, e rregjistruar me aparat telefonik”.
Gjithashtu nga veprimet hetimore, sqaron AMP, dyshohet se “punonjësi i policisë P.B., (njerku i shtetases së mitur) prej disa vitesh ka pasur lidhje intime”.
Vijojnë hetimet për dokumentimin e plotë të ngjarjes.
Ngjarja
Rasti tronditës u zbulua ditën e sotme pasi në rrjete sociale nisën të qarkullonin mesazhe shantazhuese për një histori intime mes 16-vjeçares dhe policit të Tepelenës me iniciale A.A. 53 vjeç.
Drejtoria e Policisë së Gjirokastrës dhe AMP nisën hetimet. Kjo e fundit është angazhuar për shkak se rezultojnë të përfshirë punonjës policie.
Ajo që është zbuluar nga hetimet e deritanishme është fakti që 16-vjeçarja është abuzuar nga njerku i saj polic, si dhe ka patur një marrëdhënie intime me një tjetër polic.
Prapa këtij raporti intime fshihet një histori shantazhi.
Disa persona, që mesa duket kanë rënë në dijeni të marrëdhënies seksuale të 16-vjeçares me policin 53-vjeçar, kanë shantazhuar efektivin me disa video të pretenduara për të mos bërë publike këtë histori. Nuk dihet saktësisht sa persona janë të përfshirë në historinë e shantazhit ndaj policit 53-vjeçar të Tepelenës. Por, veprimet hetimore janë duke u kryer si nga Agjencia e Mbikëqyrjes Policore, ashtu edhe nga Policia e Gjirokastrës.
Shqiptarja.com ka mësuar se njerku polic i vajzës, nuk është i përfshirë në historinë e shantazhit, por në atë të abuzimit seksual me thjeshtrën.
Mësohet se në shantazh, duke shfrytëzuar historinë e rëndë të abuzimit me të mitur, rezultojnë të jenë të përfshirë disa persona, të cilët janë të identifikuar nga policia dhe ndaj tyre po kryhen procedurat përkatëse.
Rasti është ende në hetim dhe në vijim priten të tjera informacione.
© BalkanWeb