Gjykata e Posaçme e Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar ka shpallur fajtor Islam Sefa, i njohur edhe me mbiemrin Xaka, për një seri akuzash të rënda që lidhen me trafikim të narkotikëve dhe drejtim të një grupi të strukturuar kriminal.
Sipas njoftimit zyrtar të gjykatës, çështja penale ndaj Sefës u shqyrtua me procedurë të shkurtuar, çka solli përfitimin e uljes së 1/3 së dënimit total. Trupa gjykuese e përbërë nga gjyqtarët Erjon Çela, Erjon Bani dhe Bib Ndreca, me vendimin Nr. 56, datë 18.09.2025, e dënoi përfundimisht Sefën me 11 vite e 4 muaj burgim.
Islam Sefa u shpall fajtor për:
-Trafikim të narkotikëve, kryer në bashkëpunim dhe në kuadër të një grupi të strukturuar kriminal, në 9 episode të ndodhura midis viteve 2020 dhe 2021.
-Drejtim të grupit të strukturuar kriminal, vepër e parashikuar nga neni 333/a/1 i Kodit Penal.
Fillimisht, për veprën penale të trafikimit të drogës, ai u dënua me 17 vite burg, ndërsa për drejtimin e grupit kriminal, me 5 vite burg. Në bazë të nenit 55 të Kodit Penal (bashkimi i dënimeve), u caktua një dënim përfundimtar prej 17 viteve, i cili më pas u reduktua në 11 vite e 4 muaj, për shkak të gjykimit të shkurtuar (neni 406/1 i K.Pr.Penale).
Vuajtja e dënimit për Islam Sefën do të nisë nga dita e arrestimit të tij dhe do të kryhet në një burg të sigurisë së lartë.
© BalkanWeb