Një 24-vjeçar nga Kosova është proceduar penalisht pasi drejtonte kamionin në mënyrë të rrezikshme në aksin Tiranë–Durrës.
Ai u kap nga Policia Rrugore duke përdorur celularin gjatë drejtimit të mjetit. Gjatë ndalimit, i riu tentoi të korruptojë efektivët për të shmangur ndëshkimin.
Policia apelon për respektim të rregullave të qarkullimit dhe denoncim të shkeljeve.
Njoftimi i policisë:
Goditet një tjetër rast i tentativës për të korruptuar punonjësit e Policisë Rrugore.
Shkon në 23 numri i drejtuesve të automjeteve të arrestuar ose proceduar për këtë vepër penale. Drejtonte kamionin duke përdorur aparatin celular, duke u kthyer në rrezik për përdoruesit e rrugës, dhe tentoi të korruptonte punonjësin e Policisë Rrugore, për të shmangur masën administrative për shkeljen e kryer. Procedohet penalisht 24-vjeçari A. A., banues në Kosovë.
Shërbimet e Policisë Rrugore të Durrësit, gjatë monitorimit të akseve rrugore për parandalimin e aksidenteve dhe rritjen e parametrave të sigurisë në rrugë, ndaluan në aksin “Tiranë–Durrës”, drejtuesin e një kamioni që po përdorte celularin gjatë lëvizjes.
Në momentin e ndalimit, ai i ka ofruar para punonjësit të Policisë, me qëllim shmangien e ndëshkimit. Në vijim të veprimeve, u referuan materialet në Prokurori ku nisi procedimi në gjendje të lirë për shtetasin A. A., 24 vjeç, për veprën penale “Korrupsioni aktiv i personave që ushtrojnë funksione publike”.
Policia Rrugore e Durrësit apelon për të gjithë përdoruesit e rrugës që të zbatojnë në mënyrë rigoroze rregullat e qarkullimit rrugor dhe fton qytetarët të denoncojnë në numrin 112 çdo shkelje, duke garantuar anonimat të plotë dhe reagim të menjëhershëm nga shërbimet e Policisë.
© BalkanWeb