I PLOTË/ Maratona e Vetting nga veriu në jug, qytetarët dënojnë sulmin ndaj News24: Na ka munguar shumë ato ditë që u fik sinjali. Është TV që shihet nga i gjithë populli!

Kur Zëri i Lirisë Fiket: Goditja ndaj News24
Në një kohë kur informacioni është fuqia më e madhe, ndërprerja e një televizioni që ka shërbyer për qytetarët për dekada nuk është thjesht një akt teknik. Është një akt që prek lirinë, besimin dhe të drejtën për të ditur të vërtetën në kohë reale.

Televizioni News24, nëpërmjet emisionit “Vetting” ka sjellë intervista dhe rrëfime të qytetarëve në mbarë Shqipërinë nga veriu në jug.

“Të mos informohesh, të marrësh nga rrjeti social informacionin dhe mos ta marrësh nga një media që ajo punon, funksionon ka gjithë këtë kohë që ka funksionuar edhe jep në kohë reale të vërtetën.”- shprehet e zhgënjyer për fikjen e sinjalit të News24, avokatja nga Korça.

Kjo është një goditje ndaj të drejtës të publikut për informacion. Çdo ndërprerje e medias është një kërcënim për transparencën, demokracinë dhe lirinë e fjalës.

“Rasti i News24 është interpretuar apo justifikuar nga administrata qeveritare dhe institucionet shtetërore që morën pjesë në atë që quhet “Operacioni i mbylljes së News24”, është një gjë e rëndë në vetvete. Me detyrimin për të lejuar, për të lëshuar një objekt që është me qira, nuk është rinovuar kontrata nga shteti pasi do t’a përdorë për diçka tjetër.”- shprehet analisti Mentor Kikia.

Kur informacioni ndërpritet, realiteti zhduket. Nuk ishte thjesht një ndërprerje teknike ishte një goditje ndaj zërit të lirë, ndaj të drejtës për të ditur të vërtetën në kohë reale.

Në Korçë, Elbasan, Shkodër dhe Gjirokastër qytetarët e ndjekin News24 çdo ditë. Por një mëngjes, sinjali u ndërpre.

Një ndjenjë frike dhe pasigurie mbushi qytetet. Çfarë ndodh kur një zë i lirisë fiket papritur?

“Jam ndjerë shumë keq ta them si njeri i medias. Të ndërpritet një televizion në mënyrë kaq brutale nuk mundet të them se është një lajm i mirë.” – shprehet një qytetar nga Elbasani.

“Në çdo vend dëgjohet zëri i opozitës dhe në qoftëse media bën opozitë, kjo është një media e dëgjuar. Në fund të fundit nuk mund të dëgjohen media që mbështeten nga qeversisja. Se ç’kuptim ka pastaj që është media.” – thotë një tjetër qytetar.

Qytetarët reagojnë me një përzierje habie dhe shqetësimi. Për ta, News24 nuk është thjesht një televizion është një mik, një informator i besueshëm, një dritare drejt realitetit. Çdo ndërprerje e këtij zëri përbën një thirrje alarmi për shoqërinë. Ndërprerje e medias prek institucionet, mendimin publik dhe strukturën demokratike. Liria e medias nuk është një dhuratë, ajo është një betejë e përditshme.

Disa e perceptojnë ndërprerjen si një sulm shtetëror ndaj mediave të pavarura. Pa një media të pavarur, vendi rrezikon të kthehet në një diktaturë të heshtjes dhe të frikës.

“Po nuk pate media je në diktaturë, të kthehesh në diktaturë nuk është kollaj. Në Shqipëri ndodh gjithçka.”-shprehet një qytetar nga Peshkopia, Dibër.

“Ishte si një ngjarje lufte, e pazakontë. Të them të drejtën jam indinjuar pafundësisht. Pse duhet të ndodhë në një republikë demokratike ndërpreja e sinjalit?” -thotë një tjetër zotëri teksa u pyet për emocio9net e para kur ori vesh për mbylljen e News24.

Shqipëria në errësirë ditën e fikjes së sinjalit të News24
Në çdo qytet ku ndodh ndërprerja, qytetarët përjetojnë jo vetëm humbje informacioni, por edhe ndjenja të pasigurisë dhe frikës. Një televizion që ka dhënë lajme 24 orë në 24 është kthyer në objektiv të presionit shtetëror. Ndërprerja e sinjalit nuk prek vetëm qytetarët. Ajo prek institucionet, mendimin publik dhe strukturën demokratike. Policia nuk veproi për sigurinë publike, por si mjet ekzekutiv për të ndaluar një informacion që nuk i përshtatet pushtetit.

Disa e perceptojnë ndërprerjen si një sulm shtetëror ndaj mediave të pavarura. Pa një media të pavarur, vendi rrezikon të kthehet në një diktaturë të heshtjes dhe të frikës.

“Misioni i policisë është rendi, siguria publike, mbrojtja e pronës familjes etj. Ndërsa sot është kthyer në një polici të shtetit sepse është duke kryer veprime që nuk i përkasin misionit të tyre. Policia vepron thjesht me titullin ekzekutiv jo me urdhra.

Unë e shikoj edhe vetë si qytetar misionin e policisë, se policia nuk ka fituar besueshmëri te qytetarët, përkundrazi qytetarët nuk kanë asnjëlloj besimi më. Kur nuk ka besim aty humbet bashkëpunimi mes policisë dhe qytetarit, ka humbur parandalimi.” -shprehet Ish komandanti i FNSH, Shkodër.

Çdo ndërprerje e medias është një paralajmërim: kur zëri i qytetarëve hesht, pushteti përpiqet të kontrollojë të vërtetën. Liria e medias nuk është një dhuratë, ajo është një betejë e përditshme.

Qytetarët nuk shohin vetëm televizionin. Ata shohin një simbol të lirisë, një pasqyrë të realitetit që nuk mund të manipulohet. Dhe kur ky simbol sulmohet, çdo individ ndihet i kërcënuar.

“Këto janë masa ekstreme që i krijojnë frikë dhe ankth popullit ku nëpërmjet mbylljes të kësaj medie i gjithë populli duhet të mbyllë gojën por për çfarë të mbyll gojën? Që të flas kryeministri dhe të thotë emrin e gjyqtarit kur është në detyrë pra kryeministri duhet të flasë publikisht ndërsa populli nuk duhet të dëgjoj informacionin real.” -tha për “Vetting” avokatja, qytetare e Korcës.

Për qytetarët, sinjali televiziv është më i shenjtë se ndërtesa. Ai është lidhja me të vërtetën, me realitetin e jetës së tyre të përditshme. Dhe kur kjo lidhje ndërpritet, ndihen të braktisur dhe të pasigurt.

Në Elbasan, reagimi është po aq i fortë. Qytetarët ndihen të tradhtuar nga veprimi shtetëror dhe nga mungesa e transparencës. Ata ndjejnë pasiguri dhe frikë, por edhe vendosmëri për të mos lejuar që zëri i lirë të shuhet.

“Ditën e parë kam besuar që News24 nuk do të mbyllet, sepse një televizion nuk është godina. Godina është ai vendi ku punohet, zyrat, studiot të cilat janë absolutisht të domosdoshme për të garantuar një produkt cilësor për audiencën. Një televizion është historiku i tij, logoja, arkivi, është ajo çfarë ai përfaqëson, ka prodhuar në historinë e vet, janë gazetarët, stafi, profesionalizmi. Në këtë kuadër, zhvendosja e televizionit është thjesht një sforco nga ana ekonomike për pronarët, por nuk është rasti për t’u dorëzuar, për ta deklaruar si sulm rrënues apo mbylljeje të televizionit. “- shprehet qytetari nga Elbasani.

Kur qytetarët përjetojnë dhunën ndaj medias, ata përjetojnë jo vetëm frikë, por edhe dhunim të së drejtës për të ditur të vërtetën. Një sinjal televiziv i ndërprerë është më shumë se një pajisje e fikur është simbol i një pushteti që tenton të heshtë qytetarët.

Kur ndërpritet një televizion, qytetarët humbasin besimin, por fiton pushteti. Ky është paralajmërimi më i madh: liria e informacionit është e shenjtë, dhe çdo ndërprerje e saj duhet të shqyrtohet si një sulm ndaj vetë demokracisë.

News24 është një televizion që ndiqet në cdo cep të Shqipërisë dhe mbyllja e tij ka lënë një shije të hidhur të qytetarët.

“News24 për mua personalisht është i vetmi televizion që ka realitetin, i paanshëm dhe mungesa e tij do diktohet në opinion shumë. Për mua nuk ka pas media më për ato ditë që u bllokua.” Shprehet një qytetar i veriut të Shqipërisë.
“Sulmi ndaj mediave janë një gjendje pasigurie, gjendje jo e mirë, frike, e pazakontë. Të them të drejtën edhe personalisht e kam përjetuar shumë keq.”- thotë një tjetër.

Gjatë maratonës nëpër Shqipëri për të takuar dhe bashkëbiseduar me qytetarët shumë prej tyre shpreheshin e zgjohen dhe flenë me stacionin e “News24”.

“Pra me të thënë të drejtën, te televizori e kam te 5-a, pra sinjalin e televizorit e shtyp te numri pesë. Në këtë moment më ngjante një pasiguri sikur një ngjarje e pazakonshme dhe më prishi atë programin ditor..”- shprehet avokati nga Dibra. Njëjtë shprehet dhe një qytetar tjetër duke vecuar emisionin e mëngjesit si të preferuarin.

“U ndje shumë mungesa e ndërprerjes së sinjalit të News24. Unë personalisht jam mësuar që të ngrihem në orën 7 për të ndjekur gazetat ose programin e informimit të News24.” -shtoi më tej qytetari.

Beteja për të vërtetën
Media nuk është pronë personale, ajo është e publikut. Kur ndërpritet për interesa të veçanta, cënohet e drejta e çdo qytetari për informacion. Qytetarët e Korçës, Shkodrës, Gjirokastrës dhe Elbasanit e dinë këtë: një ndërprerje nuk është vetëm një ndërprerje teknike, por një akt politik që kërkon kontrollin mbi mendimin publik.

“Këtu vërtetuam paligjshmëri dhe antikushtetutshmëri nga organizatat ligjzbatuese ndaj News24, që është një ndër mediat më të mëdha në Shqipëri, ndër mediat kryesore të informimit publik. Përveç ndërprerjes së sinjalit, mungesës së informimit të publikut këtu është dhe një pushkatim i demokracisë se në fund të fundit media bën pjesë në parimet themelore të demokracisë botërore dhe këtu është cënuar liria e shprehjes, e informimit.” -thotë qytetari nga Shkodra.

Në këtë betejë, qytetarët e dinë se e vetmja armë është bashkimi dhe kërkimi i të vërtetës. News24 nuk është thjesht një televizion është një institucion që mbron lirinë e shprehjes dhe të drejtën për informacion.

“Televizioni News24 është më i miri në botë, jo vetëm në Shqipëri. Gjithë populli e sheh atë stacion. Na ka munguar jashtë mase ato ditë që u fik sinjali. Shumë gabim që u shty me gazetarët, gazetarët janë pasqyra e popullit shqiptar.” Ky është citimi i një qytetari që shpreh vlerësimin e tij për televizionin dhe rolin e gazetarëve.

Kjo fjali, tregon qartazi që gazetaria është më shumë sesa një profesion, është një mision që lidhet ngushtë me të vërtetën dhe me shërbimin ndaj shoqërisë. Gazetari mund të quhet “pasqyra e popullit”. Një pasqyrë që nuk shtrembëron, por tregon gjithçka ashtu siç është, gazetari ka për detyrë të tregojë realitetin e jetës së përditshme, të zbulojë padrejtësitë, të japë zë atyre që nuk dëgjohen dhe të ndriçojë pjesët e errëta të shoqërisë.

Gazetari nuk është vetëm ai që raporton lajmin. Është ai që kontrollon pushtetin, që hedh dritë mbi padrejtësitë, që jep zë atyre që nuk dëgjohen. Në thelb, gazetari është një ndërmjetës mes realitetit dhe qytetarit. Mbyllja apo ndalimi i një mediaje është, në të vërtetë, një përpjekje për të shuar zërin e gazetarit, dhe për rrjedhojë, për të kontrolluar të vërtetën.

“Ishte turp edhe kërkojmë të hyjmë në Europë. Nuk hyhet në Europë me lopë e me kafshë. Ata ishin duke dhënë lajmet dhe ne i shinim përditë, e mbylli, ai mund ti mbylle dhe të tjerat se dimë. Serbia i ka pas mbyll në ’81, ky e kaloi Serbinë ça ti bëjmë, s’kemi ç’bëjmë. Kjo tregon realitetin, me ushtri me forcë e prish.”- shprehet një qytetar dibran.

E drejta për informim, një e drejtë themelore qytetare
Në çdo shoqëri demokratike, e drejta për informim nuk është thjesht një privilegj apo një shërbim shtesë, por një e drejtë themelore e çdo qytetari që siguron pjesëmarrjen aktive dhe të vetëdijshme në jetën publike. Kjo e drejtë përfshin mundësinë që çdo individ të ketë qasje në informacion të vërtetë, të pavarur, të paanshëm dhe të plotë, që ndihmon në formimin e opinionit dhe marrjen e vendimeve të informuara për çështjet politike, ekonomike, sociale dhe kulturore.

Liria e medias dhe e drejtës për informim janë gurët themelorë të demokracisë, pasi qytetarët vetëm atëherë mund të kontrollojnë pushtetin, të kritikojnë gabimet dhe të kërkojnë llogaridhënie nga institucionet shtetërore. Në mungesë të një informimi të drejtë dhe të besueshëm, qytetarët janë të ekspozuar ndaj manipulimeve, dezinformatave dhe censurës, që dobësojnë rëndësisht vetë strukturën demokratike dhe besimin në institucionet publike.

“Realiteti i shprehur në kohë, e vërteta e thënë në kohë ajo është media. Për këtë të vërtetë që thotë News 24 në kohë për këtë fakt po e mbyllin le ta mbyllin po mbyllet zëri I lirisë, populi duhet të çohet.” -shprehet avokatja nga Korca.

Kur ndërpritet sinjali i një televizioni të rëndësishëm dhe të ndjekur në të gjithë vendin, siç është rasti me News24, nuk bëhet vetëm një ndërprerje teknike apo ekonomike. Ky është një akt që cenon të drejtën për informim dhe lirinë e shtypit, duke mbyllur përkohësisht dritaren e qytetarëve drejt realitetit dhe ngjarjeve të rëndësishme të ditës. Kjo ndërhyrje krijon një precedent të rrezikshëm, që mund të përdoret për të heshtur zërat kritikë dhe për të kufizuar qasjen në informacione të nevojshme për të ushtruar qytetarinë e lirë dhe aktive.

Nëse media fiket sot, kush do të mbrojë fjalën e lirë nesër? Ndërprerja e News24 nuk është vetëm një ngjarje e zakonshme televizive. Ajo është një paralajmërim për të gjithë ata që besojnë se informacioni i vërtetë mund të ndërpritet pa pasoja. Zëri i medias nuk duhet heshtur.

© BalkanWeb


Arena e Lajmit

Ju mund të regjistroheni në buletinin tonë të lajmeve plotësisht falas

Mos e humbisni mundësinë për t'u informuar për lajmet më të fundit dhe eksluzive, filloni tani abonimin tuaj falas me e-mail.

Welcome

Instalo aplikacionin tonë
×