Pas një nisjeje të vështirë ndaj Cremoneses, Milani duket se ka rifituar qetësinë, me dy fitore radhazi ndaj Lecce dhe Udinese që i kanë rikthyer buzëqeshjen kuqezinjve. Por tani, pas fushës, fokusi kalon tek e ardhmja. Sepse merkatoja mund të jetë mbyllur, por për drejtuesit e klubit ka nisur loja e rinovimeve dhe planeve për sezonet e ardhshme.
Në qendër të vëmendjes është sërish Mike Maignan. Portieri francez është detyruar të largohet nga fusha për shkak të një dëmtimi në pulpë, duke lënë edhe një herë skuadrën pa gardianin e saj të parë. Një problem i njohur për tifozët kuqezi – dhe një arsye më shumë për drejtuesit Tare dhe Furlani që të mendojnë seriozisht për alternativat.
Lorenzo Torriani, vetëm 19 vjeç, po rritet me ekipin e dytë, Milan Futuro, por për një portë si ajo e Milanit, duhen garanci. Ndaj, kontrata e Maignan, që skadon në qershor të 2026-ës, është kthyer në një prioritet. Marrëveshja për rinovim ishte pranë finalizimit me një pagë prej 5 milionë euro në sezon deri në vitin 2028, por negociatat janë ndërprerë, dhe çdo vonesë mund ta shtyjë klubin të mendojë për një shitje të mundshme – për të shmangur një tjetër “rasti Donnarumma”.
Më të qarta janë situatat për dy emra të tjerë të rëndësishëm: Christian Pulisic dhe Alexis Saelemaekers. Të dy kanë kontrata deri në vitin 2027, por rinovimi i tyre shihet si formalitet. Për Pulisic synohet një zgjatje deri në 2029 me një rritje të pagës në 5 milionë euro plus bonuse, ndërsa belgu pritet të përfitojë 3 milionë në sezon.
© BalkanWeb