“Nëse media fiket sot, kush do ta mbrojë fjalën e lirë nesër”? Qytetarët ngrejnë zërin kundër sulmit ndaj News24: Ky TV është zëri i publikut!

Emisioni Vetting, maratonë nga veriu në jug, merr reagimet e qytetarëve

Beteja për të vërtetën Media nuk është pronë personale, ajo është e publikut. Kur ndërpritet për interesa të veçanta, cënohet e drejta e çdo qytetari për informacion. Qytetarët e Korçës, Shkodrës, Gjirokastrës dhe Elbasanit e dinë këtë: një ndërprerje nuk është vetëm një ndërprerje teknike, por një akt politik që kërkon kontrollin mbi mendimin publik.

“Këtu vërtetuam paligjshmëri dhe antikushtetutshmëri nga organizatat ligjzbatuese ndaj News24, që është një ndër mediat më të mëdha në Shqipëri, ndër mediat kryesore të informimit publik. Përveç ndërprerjes së sinjalit, mungesës së informimit të publikut këtu është dhe një pushkatim i demokracisë se në fund të fundit media bën pjesë në parimet themelore të demokracisë botërore dhe këtu është cënuar liria e shprehjes, e informimit.” -thotë qytetari nga Shkodra.

Në këtë betejë, qytetarët e dinë se e vetmja armë është bashkimi dhe kërkimi i të vërtetës. News24 nuk është thjesht një televizion është një institucion që mbron lirinë e shprehjes dhe të drejtën për informacion.

“Televizioni News24 është më i miri në botë, jo vetëm në Shqipëri. Gjithë populli e sheh atë stacion. Na ka munguar jashtë mase ato ditë që u fik sinjali. Shumë gabim që u shty me gazetarët, gazetarët janë pasqyra e popullit shqiptar.” Ky është citimi i një qytetari që shpreh vlerësimin e tij për televizionin dhe rolin e gazetarëve. Kjo fjali, tregon qartzi që gazetaris është më shumë sesa një profesion, është një mision që lidhet ngushtë me të vërtetën dhe me shërbimin ndaj shoqërisë.

Gazetari mund të quhet “pasqyra e popullit”.

Një pasqyrë që nuk shtrembëron, por tregon gjithçka ashtu siç është, gazetari ka për detyrë të tregojë realitetin e jetës së përditshme, të zbulojë padrejtësitë, të japë zë atyre që nuk dëgjohen dhe të ndriçojë pjesët e errëta të shoqërisë. Gazetari nuk është vetëm ai që raporton lajmin. Është ai që kontrollon pushtetin, që hedh dritë mbi padrejtësitë, që jep zë atyre që nuk dëgjohen. Në thelb, gazetari është një ndërmjetës mes realitetit dhe qytetarit. Mbyllja apo ndalimi i një mediaje është, në të vërtetë, një përpjekje për të shuar zërin e gazetarit, dhe për rrjedhojë, për të kontrolluar të vërtetën.

“Ishte turp edhe kërkojmë të hyjmë në Europë. Nuk hyet në Europë me lopë e me kafshë. Ata ishin duke dhënë lajmet dhe ne i shinim përditë, e mbylli, ai mund ti mbylle dhe të tjerat se dimë. Serbia i ka pas mbyll në ’81, ky e kaloi Serbinë ça ti bëjmë, s’kemi ç’bëjmë. Kjo tregon realitetin, me ushtri me forcë e prish.”- shprehet një qytetar dibran.

E drejta për informim, një e drejtë themelore qytetare
Në çdo shoqëri demokratike, e drejta për informim nuk është thjesht një privilegj apo një shërbim shtesë, por një e drejtë themelore e çdo qytetari që siguron pjesëmarrjen aktive dhe të vetëdijshme në jetën publike. Kjo e drejtë përfshin mundësinë që çdo individ të ketë qasje në informacion të vërtetë, të pavarur, të paanshëm dhe të plotë, që ndihmon në formimin e opinionit dhe marrjen e vendimeve të informuara për çështjet politike, ekonomike, sociale dhe kulturore.

Liria e medias dhe e drejtës për informim janë gurët themelorë të demokracisë, pasi qytetarët vetëm atëherë mund të kontrollojnë pushtetin, të kritikojnë gabimet dhe të kërkojnë llogaridhënie nga institucionet shtetërore. Në mungesë të një informimi të drejtë dhe të besueshëm, qytetarët janë të ekspozuar ndaj manipulimeve, dezinformatave dhe censurës, që dobësojnë rëndësisht vetë strukturën demokratike dhe besimin në institucionet publike.

“Realiteti i shprehur në kohë, e vërteta e thënë në kohë ajo është media. Për këtë të vërtetë që thotë News24 në kohë për këtë fakt po e mbyllin le ta mbyllin po mbyllet zëri i lirisë, populi duhet të çohet”, shprehet avokatja nga Korça.

Kur ndërpritet sinjali i një televizioni të rëndësishëm dhe të ndjekur në të gjithë vendin, siç është rasti me News24, nuk bëhet vetëm një ndërprerje teknike apo ekonomike. Ky është një akt që cenon të drejtën për informim dhe lirinë e shtypit, duke mbyllur përkohësisht dritaren e qytetarëve drejt realitetit dhe ngjarjeve të rëndësishme të ditës. Kjo ndërhyrje krijon një precedent të rrezikshëm, që mund të përdoret për të heshtur zërat kritikë dhe për të kufizuar qasjen në informacione të nevojshme për të ushtruar qytetarinë e lirë dhe aktive.

Nëse media fiket sot, kush do të mbrojë fjalën e lirë nesër?

Ndërprerja e News24 nuk është vetëm një ngjarje e zakonshme televizive. Ajo është një paralajmërim për të gjithë ata që besojnë se informacioni i vërtetë mund të ndërpritet pa pasoja. Zëri i medias nuk duhet heshtur.

© BalkanWeb


Arena e Lajmit

Ju mund të regjistroheni në buletinin tonë të lajmeve plotësisht falas

Mos e humbisni mundësinë për t'u informuar për lajmet më të fundit dhe eksluzive, filloni tani abonimin tuaj falas me e-mail.

Welcome

Instalo aplikacionin tonë
×