Emisioni investigativ Vetting, News24
Kur Zëri i Lirisë Fiket: Goditja ndaj News24
Në një kohë kur informacioni është fuqia më e madhe, ndërprerja e një televizioni që ka shërbyer për qytetarët për dekada nuk është thjesht një akt teknik. Është një akt që prek lirinë, besimin dhe të drejtën për të ditur të vërtetën në kohë reale.
Televizioni News24, nëpërmjet emisionit “Vetting” ka sjellë intervista dhe rrëfime të qytetarëve në mbarë Shqipërinë nga veriu në jug.
“Të mos informohesh, të marrësh nga rrjeti social informacionin dhe mos ta marrësh nga një media që ajo punon, funksionon ka gjithë këtë kohë që ka funksionuar edhe jep në kohë reale të vërtetën.”- shprehet e zhgënjyer për fikjen e sinjalit të News24, avokatja nga Korça.
Kjo është një goditje ndaj të drejtës të publikut për informacion. Çdo ndërprerje e medias është një kërcënim për transparencën, demokracinë dhe lirinë e fjalës.
“Rasti i News24 është interpretuar apo justifikuar nga administrata qeveritare dhe institucionet shtetërore që morën pjesë në atë që quhet “Operacioni i mbylljes së News24”, është një gjë e rëndë në vetvete. Me detyrimin për të lejuar, për të lëshuar një objekt që është me qira, nuk është rinovuar kontrata nga shteti pasi do t’a përdorë për diçka tjetër.”- shprehet analisti Mentor Kikia.
Kur informacioni ndërpritet, realiteti zhduket. Nuk ishte thjesht një ndërprerje teknike ishte një goditje ndaj zërit të lirë, ndaj të drejtës për të ditur të vërtetën në kohë reale.
Në Korçë, Elbasan, Shkodër dhe Gjirokstër qytetarët e ndjekin News24 çdo ditë. Por një mëngjes, sinjali u ndërpre. Një ndjenjë frike dhe pasigurie mbushi qytetet. Çfarë ndodh kur një zë i lirisë fiket papritur?
“Jam ndjerë shumë keq ta them si njeri I medias. Të ndërpritet një televizion në mënyrë kaq brutale nuk mundet të them se është një lajm i mirë.” – shprehet një qytetar nga Elbasani.
“Në çdo vend dëgjohet zëri i opozitës dhe në qoftëse media bën opozitë, kjo është një media e dëgjuar. Në fund të fundit nuk mund të dëgjohen media që mbështeten nga qeversisja. Se ç’kuptim ka pastaj që është media.” – thotë një tjetër qytetar.
Qytetarët reagojnë me një përzierje habie dhe shqetësimi. Për ta, News24 nuk është thjesht një televizion është një mik, një informator i besueshëm, një dritare drejt realitetit. Çdo ndërprerje e këtij zëri përbën një thirrje alarmi për shoqërinë. Ndërprerje e medias prek institucionet, mendimin publik dhe strukturën demokratike. Liria e medias nuk është një dhuratë, ajo është një betejë e përditshme.
Disa e perceptojnë ndërprerjen si një sulm shtetëror ndaj mediave të pavarura. Pa një media të pavarur, vendi rrezikon të kthehet në një diktaturë të heshtjes dhe të frikës
“Po nuk pate media je në diktaturë, të kthehesh në diktaturë nuk është kollaj. Në Shqipëri ndodh gjithçka.”-shprehet një qytetar nga Peshkopia, Dibër.
“Ishte si një ngjarje lufte, e pazakontë. Të them të drejtën jam indinjuar pafundësisht. Pse duhet të ndodhë në një republikë demokratike ndërpreja e sinjalit?” -thotë një tjetër zotëri teksa u pyet për emocio9net e para kur ori vesh për mbylljen e News24.
Shqipëria në errësirë ditën e fikjes së sinjalit të News24
Në çdo qytet ku ndodh ndërprerja, qytetarët përjetojnë jo vetëm humbje informacioni, por edhe ndjenja të pasigurisë dhe frikës. Një televizion që ka dhënë lajme 24 orë në 24 është kthyer në objektiv të presionit shtetëror.
Ndërprerja e sinjalit nuk prek vetëm qytetarët. Ajo prek institucionet, mendimin publik dhe strukturën demokratike. Policia nuk veproi për sigurinë publike, por si mjet ekzekutiv për të ndaluar një informacion që nuk i përshtatet pushtetit.
Disa e perceptojnë ndërprerjen si një sulm shtetëror ndaj mediave të pavarura. Pa një media të pavarur, vendi rrezikon të kthehet në një diktaturë të heshtjes dhe të frikës
“Misioni i policisë është rendi, siguria publike, mbrojtja e pronës familjes etj. Ndërsa sot është kthyer në një polici të shtetit sepse është duke kryer veprime që nuk i përkasin misionit të tyre. Policia vepron thjesht me titullin ekzekutiv jo me urdhëra.
Unë e shikoj edhe vetë si qytetar misionin e policisë, se policia nuk ka fituar besueshmëri te qytetarët, përkundrazi qytetarët nuk kanë asnjëlloj besimi më. Kur nuk ka besim aty humbet bashkëpunimi mes policisë dhe qytetarit, ka humbur parandalimi.” -shprehet ish-komandanti i FNSH, Shkodër.
Çdo ndërprerje e medias është një paralajmërim: kur zëri i qytetarëve hesht, pushteti përpiqet të kontrollojë të vërtetën. Liria e medias nuk është një dhuratë, ajo është një betejë e përditshme.
Qytetarët nuk shohin vetëm televizionin. Ata shohin një simbol të lirisë, një pasqyrë të realitetit që nuk mund të manipulohet. Dhe kur ky simbol sulmohet, çdo individ ndihet i kërcënuar.
“Këto janë masa ekstreme që I krijojnë frikë dhe ankth popullit ku nëpërmjet mbylljes të kësaj medie I gjithë populli duhet të mbyllë gojën por për cfarë të mbyll gojën? Që të flas kryeministri dhe të thotë emrin e gjyqtarit kur është në detyrë pra kryeministri duhet të flasë publikisht ndërsa populli nuk duhet të dëgjoj informacionin real.” –tha për “Vetting” avokatja, qytetare e Korcës.
Për qytetarët, sinjali televiziv është më i shenjtë se ndërtesa. Ai është lidhja me të vërtetën, me realitetin e jetës së tyre të përditshme. Dhe kur kjo lidhje ndërpritet, ndihen të braktisur dhe të pasigurt.
Në Elbasan, reagimi është po aq i fortë. Qytetarët ndihen të tradhtuar nga veprimi shtetëror dhe nga mungesa e transparencës. Ata ndjejnë pasiguri dhe frikë, por edhe vendosmëri për të mos lejuar që zëri i lirë të shuhet.
“Ditën e parë kam besuar që News24 nuk do të mbyllet, sepse një televizion nuk është godina. Godina është ai vendi ku punohet, zyrat, studiot të cilat janë absolutisht të domosdoshme për të garantuar një produkt cilësor për audiencën. Një televizion është historiku i tij, logoja, arkivi, është ajo çfarë ai përfaqëson, ka prodhuar në historinë e vet, janë gazetarët, stafi, profesionalizmi. Në këtë kuadër, zhvendosja e televizionit është thjesht një sforco nga ana ekonomike për pronarët, por nuk është rasti për t’u dorëzuar, për ta deklaruar si sulm rrënues apo mbylljeje të televizionit. “- shprehet qytetari nga Elbasani.
Kur qytetarët përjetojnë dhunën ndaj medias, ata përjetojnë jo vetëm frikë, por edhe dhunim të së drejtës për të ditur të vërtetën. Një sinjal televiziv i ndërprerë është më shumë se një pajisje e fikur është simbol i një pushteti që tenton të heshtë qytetarët.
Kur ndërpritet një televizion, qytetarët humbasin besimin, por fiton pushteti. Ky është paralajmërimi më i madh: liria e informacionit është e shenjtë, dhe çdo ndërprerje e saj duhet të shqyrtohet si një sulm ndaj vetë demokracisë.
News24 është një televizion që ndiqet në çdo cep të Shqipërisë dhe mbyllja e tij ka lënë një shije të hidhur të qytetarët.
“News24 për mua personalisht është i vetmi televizion që ka realitetin, i paanshëm dhe mungesa e tij do diktohet në opinion shumë. Për mua nuk ka pas media më për ato ditë që u bllokua”, shprehet një qytetar i veriut të Shqipërisë.
“Sulmi ndaj mediave janë një gjendje pasigurie, gjendje jo e mirë, frike, e pazakontë. Të them të drejtën edhe personalisht e kam përjetuar shumë keq.”- thotë një tjetër.
Gjatë maratonës nëpër Shqipëri për të takuar dhe bashkëbiseduar me qytetarët shumë prej tyre shpreheshin e zgjohen dhe flenë me stacionin e “News24”.
“Pra me të thënë të drejtën, te televizori e kam te 5-a, pra sinjalin e televizorit e shtyp te numri pesë. Në këtë moment më ngjante një pasiguri sikur një ngjarje e pazakonshme dhe më prishi atë programin ditor..”- shprehet avokati nga Dibra. Njëjtë shprehet dhe një qytetar tjetër duke vecuar emisionin e mëngjesit si të preferuarin.
“U ndje shumë mungesa e ndërprerjes së sinjalit të News24. Unë personalisht jam mësuar që të ngrihem në orën 7 për të ndjekur gazetat ose programin e informimit të News24.” -shtoi më tej qytetari.
© BalkanWeb