Ish-deputeti i PD, Dashnor Sula, i ftuar në News24, komentoi situatën politike dhe zhvillimet në Parlament pas miratimit të programit të qeverisë.
Ai u shpreh i shqetësuar për përçarjen brenda opozitës dhe mungesën e përfaqësimit të figurave të rëndësishme në Kuvend.
Sipas Sulës, Partia Demokratike po humbet terren çdo ditë dhe baza është e braktisur. Ai kritikoi edhe mungesën e analizës serioze nga ana e opozitës.
Ish-deputeti i PD Dashnor Sula: Shumë figura të PD duhet të ishin në Kuvend. Demokratët po çojnë ujin te mulliri i Ramës. Jam i keqardhur për situatën në parlament. Për 2 ditë e 2 netë, opozita duhet ta kishte analizuar mirë programin e qeverisë. Opozita ka një stres të madh, po zvogëlohet përditë. Njerëzit nëpër rrugë apo nëpër bazë e kuptojnë situatën.
Një pjesë e njerëzve që kanë qenë ithtarë të Sali Berishës, tani nuk besojnë më. Ata nuk kanë besim më që Berisha e rrëzon Ramën. Problemi më i madh i PD është baza, që është lënë pak ‘anash’. Politikanët e PD kanë frikë të shkojnë në bazë, i nxjerrin sytë atje. Demokrat është Ilir Vrenozi dhe tani ka filluar të kritikojë figurat politike të opozitës. Kur thua narko-shtet, narko-shteti rrëzohet me protesta. Opozita ka pasur një “luftë civile”, duke u përçarë. Albana Vokshi dhe figura të tjera urrehen, sepse veprojnë në bazë të interesave të veta. Ende vijojnë në PD figura të konsumuara. Partia Demokratike duhet të udhëhiqet nga figura të tjera dhe jo të konsumuara. “Metri” i tyre është që të kesh mendim pozitiv për ta, të duash Berishën pa kushte dhe jo sa vota merr ti, sa efektiv je pra. Statuti i PD duhet të respektohet.
© BalkanWeb