Vijojnë dëshmitë në procesin gjyqësor për atentatin e rëndë të ndodhur më 1 nëntor 2019, në zonën e Shkozetit, ku mbeti i vrarë avokati Andi Maloku dhe u plagosën prokurori Arjan Ndoj dhe Pëllumb Muharremi (i njohur si Rrumi i Shijakut).
Në seancën ka dëshmuar Stiven Meziu, i cili tha se në vitin 2019 punonte në Ujësjellës dhe kishte marrëdhënie miqësore me Pëllumb Muharremin. Ai tregoi në detaje momentet para dhe gjatë atentatit, ku ndodhej fizikisht fare pranë makinës së viktimave.
“Më 1 nëntor 2019 isha me Pëllumb Muharremin. U takuam në Sukth, më pas shkuam në Durrës për drekë dhe u kthyem sërish. Pasdite, shkuam të pinim kafe në plazh, te ‘Coral’,” dëshmoi Meziu.
Sipas tij, pikërisht në lokalin e plazhit ata u takuan edhe me prokurorin Arjan Ndoj. Disa momente më vonë, kur dolën nga lokali, ndodhi ajo që ai përshkroi si një sulm i befasishëm dhe i dhunshëm.
“Unë po prisja jashtë që të merrja Pëllumbin, por dolën të dy dhe hipën në makinën e Arjanit. U nisëm për në Sukth, unë isha me makinën time mbrapa, makinat njëra pas tjetrës. Sapo hymë në autostradë, na qëlluan,” tha ai.
Dëshmitari përshkroi skenën e sulmit: “Pashë një Benz gri me xhama të zinj që na parakaloi. Më pas, vetëm breshëri plumbash drejt makinës së Arjanit. Shpejt iu dhashë ndihmën e parë të plagosurve.”
Sipas tij, drejtues i makinës ku ndodhi atentati ishte Andi Maloku, në vendin e parë qëndronte Arjan Ndoj, ndërsa në sediljen e pasme Pëllumb Muharremi. Të tre, sipas Meziut, kishin marrë dëmtime nga breshëria e plumbave.
I pyetur për mundësinë e ndonjë konflikti të mundshëm që mund të kishte Pëllumb Muharremi në atë kohë, Meziu u shpreh: “Pas ngjarjes e kam takuar Pëllumbin, por nuk më ka përmendur asnjë konflikt.”
© BalkanWeb