Të enjten, në ambientet e godinës numër 3, më e reja në “Qytetin Studenti”, ndodhi një ngjarje në dukje e përsëritur në çdo fillim nisje të vitit të ri akademik.
Në pamjet e filmuara, studentët u përplasën me policinë dhe administratën e Rezidencës, duke akuzuar këta të fundit se vendet në Rezidencën nr.3 janë korruptuar.
Regjistrimet në këtë godinë u mbyllën, por jo debati.
Aktivisti nga “Qëndresa Qytetare” Mateo Yskollari, u shpreh se godina ka kapacitet deri në 68 shtretër dhe dje ka nisur regjistrimi i të afërmëve, miqve dhe shokëve të administratës.
“Videot filmike të kamerave janë në dorën e administratës për ti bërë publike dhe ne kemi thënë më herët që këto ngjarje duhen hetuar nga prokuroria pasi nuk mund të regjistrosh miq e shokë para studentëve që presin në radhë”, tha aktivisti i “Qëndresa Qytetare” .
Drejtori i Rezidencës Studentore Universitare, Olsi Shahini, sqaroi jashtë kamerave për Neës24, se në procesin e regjistrimit të ditës së enjte, radha është respektuar dhe se për këtë është i gatshëm të vendosë në dispozicion kamerat e ambientit.
Të enjten ndodhi një ngjarje e paprecedentë. Studentët u zunë fillimisht me njëri-tjetrin për radhën. Më pas ndërhyri policia për të neutralizuar sherrin mes tyre, për radhën e aplikimit.
Të gjithë synonin regjistrimin në këtë godinë, por vendet ishin të limituara. Në rezidencë, aplikimet vijojnë dhe ka kapacitete të shumta, por synimi i shumicës prej nxënësve ka qenë kjo rezidencë e re. Jam i gatshëm të vendos në dispozicion pamjet e nevojshme për studentë dhe prindër”, tha drejtori Rezidencës Studentore Universitare, Olsi Shahini.
Godina më e re në Rezidencën Studentore universitare e cila mban numrin 3 e kthyer në mollë sherri per shkak të kushteve shumë më të mira që ofron, ka mbyllur tashmë aplikimet.
Studentët e tjerë janë të detyruar të qëndrojnë në godinat më të hershme, ku sic thonë, kushtet lënë për të dëshiruar.
© BalkanWeb