Sali Berisha: Akti është bërë nga bandat qeveritare. Së pari me një ndjesë për këtë shtytje të detyruar të konferencës për shkak, e kuptoni vetë, të një trafiku të pashembult që ekziston në rrugët e Tiranës. Dhe zoti Mziu, që është nisur me kohë për të ardhur në këtë konferencë, iu desh trefishi i kohës. Sot unë jam këtu me deputetin Xhelal Mziu për të denoncuar një akt terrorizmi shtetëror ndaj deputetit dhe familjes së tij. Banesa e deputetit Xhelal Mziu, duke qenë brenda në banesë, është sulmuar me tritol nga banditë shtetërore. Bandat janë sot pronë totale e shtetit. Masa e eksplozivit ka qenë e konsiderueshme dhe ka krijuar dëme edhe në zonën përreth.Ky akt vjen pas qëndrimit të djeshëm antikushtetues të kreut të organizatës kriminale ndaj parlamentit dhe opozitës. Ky akt ka vetëm një synim, të mbyllë gojën e opozitarëve. Për të gjitha këto, e garantoj Edi Ramën se do mbajë përgjegjësi maksimale. Policia është thellësisht e politizuar dhe nuk kemi besim se mund të zbardhë ngjarjen dhe të kapë autorin apo autorët. S’mund të them se çdo segment policie është infiltruar nga krimi, por të pranosh se policia do zbardhë krimin politik, është një iluzion.
Xhelal Mziu: Nuk kam konflikte. Akti është tërësisht politik. Unë e konsideroj një hakmarrje politike dhe asgjë tjetër. Nuk gjej argument tjetër përpos se prapavijë politike ose për të na bërë ushtarë të tyre e për mos të na lënë të jemi opozitë kundër kësaj qeverie kriminale. Ishte policia aty, e përcaktoi se ishte masë tritoli, bëri ekspertizën e nevojshme, shpresojmë që policia të zbardhë ngjarjen. Nuk jam shumë besimplotë në këtë drejtim, por urojmë që policia të jetë në lartësinë e duhur në këtë rast.
© BalkanWeb