Baseni i Fierzës drejt pikës së ‘vdekjes’ nga thatësira, për një javë KESH bleu 72.236 MWh energji elektrike

Hidrocentrali i Fierzës po punon vetëm me 1 turbinë nga 4 që ka në dispozicion. Vendimi lidhet me ruajtjen e rezervës hidrike në kaskadën e Drinit, pasi niveli i ujit në liqenin më të madh artificial të vendit po i afrohet “pikës së vdekjes”, e cila llogaritet në 242 metra mbi nivelin e detit. Prurjet nga dy degët kryesore, Drini i Bardhë dhe Drini i Zi janë minimale, jo më shumë se 30 m3 ujë në sekondë. Ndërkohë, niveli i ujit në basenin e Fierzës ka zbritur në kuotën 264.93 metra, nga 296.5 metra që është kuota maksimale, duke reflektuar një situatë të vështirë hidrike.

Temperaturat e larta dhe mungesa e reshjeve kanë ulur ndjeshëm prodhimin vendas të energjisë. Liqeni po tërhiqet përditë rreth digës, ndërsa prurjet e pakta të lumenjve, të kombinuara me rritjen e kërkesës për konsum e kanë vënë në vështirësi kaskadën e Drinit, e cila në këtë periudhë shënon rënie të prodhimit.

Koorporata Elektroenergjetike Shqiptare po alternon prodhimin me hidrocentralet e Komanit dhe Vaut të Dejës, ndërsa për të plotësuar nevojat është detyruar të importojë energji. Vetëm për periudhën 15–21 shtator, KESH ka blerë 72.236 megavat-orë, me qëllim mbulimin e kërkesës së shtuar dhe kompensimin e prodhimit të munguar për shkak të thatësirës.

© BalkanWeb


Arena e Lajmit

Ju mund të regjistroheni në buletinin tonë të lajmeve plotësisht falas

Mos e humbisni mundësinë për t'u informuar për lajmet më të fundit dhe eksluzive, filloni tani abonimin tuaj falas me e-mail.

Welcome

Instalo aplikacionin tonë
×