Partia e Lirisë ka ngritur shqetësimin për shpopullimin masiv të vendit. Në një dalje për mediat, zëvendëssekretarja e Përgjithshme e Partisë së Lirisë, Brunilda Haxhiu theksoi se çdo vit ikin dhjetëra mijëra të rinj nga Shqipëria.
Sipas PL-së, ky eksod është tregues i dështimit të politikave shtetërore.
DEKLARATA
Shqipëria po përjeton një shpopullim masiv, i cili ka marrë përmasat e një alarmi kombëtar. Çdo vit ikin dhjetëra mijëra të rinj, familje dhe profesionistë, duke lënë pas një vend me më pak fëmijë, më pak fuqi punëtore dhe një popullsi gjithnjë e më të plakur. Ky eksod që nuk ndalon është tregues i dështimit të politikave shtetërore për të ofruar mirëqenie sociale. Në Shqipëri nuk ka shpresë, siguri dhe mundësi për qytetarët e vet. Nëse kjo trajektore nuk ndryshon, do të vazhdojmë të humbasim gjeneratat më vitale, duke e futur vendin në një krizë sociale, ekonomike dhe kombëtare nga e cila do të jetë gjithnjë e më e vështirë të rikuperohet.
Sekti rilindas kërkon të na shesë për sukses DESHTIMIN e mbrojtjes sociale. Shqipëria shpenzon vetëm rreth 9% të PBB-së për mbrojtjen sociale, ndërkohë që vendet e Bashkimit Europian investojnë mbi 25%. Edhe kjo shifër modeste, mbi 80% e saj shkon vetëm për pensione, duke lënë jashtë vëmendjes ndihmën ekonomike, shërbimet sociale dhe mbështetjen për familjet në nevojë.
Ndihma ekonomike është simbolike dhe e pamjaftueshme për të nxjerrë familjet nga varfëria, ndërsa pensioni mesatar mbetet aq i ulët saqë të moshuarit detyrohen të zgjedhin mes bukës dhe ilaçeve. Fëmijët, të rinjtë dhe personat me aftësi të kufizuara trajtohen me skema minimale, shpesh të përjashtuara nga kriteret burokratike.
Kjo është një politikë tërësisht selektive dhe e padrejtë, që thellon pabarazitë dhe përjashton shtresat më të dobëta të shoqërisë. Vetëm 20% e njerëzve më të varfër në vend marrin ndihmë ekonomike, ndërsa 80% e familjeve që jetojnë në varfëri ekstreme mbeten pa asnjë mbështetje nga shteti.
Edhe ata pak që përfitojnë marrin ndihmën më të ulët në Ballkan: sipas Bankës Botërore dhe Institutit të Vjenës, një familje shqiptare merr mesatarisht vetëm 70 euro në muaj nga kombinimi i ndihmës ekonomike dhe kompensimit të energjisë. Jo vetëm të fundit në Europë si gjithmonë, por me një diferencë shumë të madhe edhe nga vendet e Rajonit ku ndihma shkon nga 200 -300 euro.
Niveli I ndihmës ekonomike në Shqipëri është i turpshëm dhe jo vetëm që nuk e nxjerr askënd nga varfëria, por e mban shoqërinë të burgosur në një realitet të padrejtë social.
Shqiptarët kanë pagat, pensionet dhe ndihmen ekonomike më të ulta në Europë ndërkohë që çmimet e ushqimeve, qirave dhe energjisë janë rritur në nivele të papërballueshme.
Rilindja vazhdon të mburret me reforma në letër.
Në vend të një shteti social, është ngritur një regjim i padrejtësisë sociale, ku fëmijët, të moshuarit dhe të papunët mbeten pa asnjë garanci, ndërsa buxheti i shtetit do të përdoret nga Diella Rama dhe simotrat e saj për të pasuruar edhe më shumë Edi Ramën dhe ndjekësit e tij.
Partia e Lirisë ka prioritet të saj rritjen e pensioneve dhe çdo ndihme ekonomike mbi minimumin jetik, zgjerim të kësaj skeme duke përfshirë çdo familje që jeton nën kufirin e varfërisë si dhe indeksim te vazhdueshem të ndihmës sipas inflacionit.
Mbrojtja sociale është detyrimi ynë moral dhe politik ndaj qytetarëve.
© BalkanWeb