Ish-kryenegociatori i Shqipërisë me Bashkimin Evropian, Zef Mazi, ka dhënë një mesazh të qartë për rolin e Shqipërisë në skenën ndërkombëtare, në një kohë kur bota po përjeton ndryshime të mëdha në rendin global. I ftuar në emisionin “Kjo Javë” në News24, Mazi theksoi nevojën që Shqipëria të mbajë një qëndrim të matur dhe të balancuar, pa u përfshirë verbërisht në përplasjet midis fuqive të mëdha.
“Linja politike e Shqipërisë nuk vihet në dyshim, duke pasur parasysh edhe rolin tonë në NATO,” tha Mazi, duke riafirmuar përkushtimin e vendit ndaj aleancës perëndimore. Megjithatë, ai theksoi se kjo nuk do të thotë që Shqipëria duhet të pozicionohet si armike ndaj vendeve të tjera.
“Nuk jemi një partner që kontribuon masivisht në strukturat ushtarake. Duhet të jemi të kujdesshëm: për sa kohë nuk cenohen qëndrimet tona me partnerët, kjo nuk do të thotë që të na armiqësojë me të tjerët. Kjo është gabim, sipas meje,” u shpreh Mazi.
Duke komentuar mbi vendimet që mund të ndikojnë pozicionin e Shqipërisë në arenën ndërkombëtare, ai paralajmëroi kundër përfshirjes në mënyrë të zëshme në çështje të mëdha globale: “Nuk duhet të futemi në mes të të mëdhenjve. Për çështje të gjeostrategjisë botërore, është më mirë të mos flasësh, sesa të flasësh me shumë zë kundër këtij apo atij.”
Mazi bëri thirrje për një politikë të jashtme më modeste dhe realiste, që lidhet ngushtë me madhësinë dhe fuqinë reale të Shqipërisë në botë. Ai përdori një metaforë të qartë për të përçuar mesazhin e tij: “Është më mirë të mos i fusim gjithë vezët në një shportë. Na duhet një ekuilibër si vend.”
© BalkanWeb