VIDEO/ Zhvendoset jetimorja “Zyber Hallulli”, trualli në Rrugën e Elbasanit do të kthehet në kullë multifunksionale

Koorporata Shqiptare e Investimeve ka zbuluar një projekt që prek drejtpërdrejt edhe Shtëpinë e Fëmijës “Zyber Hallulli”, institucionin simbol që prej dekadash ndodhet në Rrugën e Elbasanit. Sipas dokumenteve zyrtare, godina aktuale e jetimores dhe ajo e Inspektorateve pritet të shemben për t’i hapur rrugë ndërtimit të një kulle të re shumëfunksionale, qe do të realizohet me modelin e sipërmarrjes.

Projekti parashikon që partneri privat të financojë ndërtimin e dy godinave publike të reja: një qendër për Inspektoriatet dhe një shtëpi moderne për fëmijët jetimë. Në këmbim, kompanisë i jepet e drejta për të zhvilluar truallin në zemër të Tiranës, ngjitur me stadiumin kombëtar “Air Albania”, për qëllime komerciale dhe rezidenciale.

Shtëpia e re e fëmijëve “Zyber Hallulli” do të zhvendoset në zonën e Gramoz Pashkos, pranë Kampusit të Studentëve dhe Parkut të Liqenit, në një truall prej mbi 5 mijë metrash katrorë. Sipas AIC, kjo hapësirë “me karakter qytet-kopsht” do të ofrojë kushte më të shëndetshme dhe më të gjelbëruara për rreth 40 fëmijë të moshës 6–15 vjeç.

Ndërkohë, në truallin aktual prej mbi 7 mijë metrash katrorë në Rrugën e Elbasanit, do të ndërtohet një kompleks i lartë me përdorim të përzier: banim, zyra, tregti, shërbime dhe mikpritje, i shoqëruar me hapësira publike dhe parkim nëntokësor. Dokumentet theksojnë se projekti synon të shndërrohet në një “pikë referimi urbane” të Tiranës moderne.

Megjithatë, zhvendosja e jetimëve nga godina tradicionale e tyre në një zonë periferike dhe dhënia e truallit qendror privatëve për zhvillim kullash ka ngritur dyshime mbi transparencën dhe përfitimet reale të marrëveshjes.

Procedura e përzgjedhjes së partnerit privat do të zhvillohet sipas një procesi konkurrues me pikëzim, të ndarë në dy faza. Procedura është e hapur për subjekte private apo publike, vendas ose të huaj, të cilët mund të aplikojnë edhe në bashkëpunim me nënkontraktorë të specializuar deri në datën 15 tetor 2025.

© BalkanWeb


Arena e Lajmit

Ju mund të regjistroheni në buletinin tonë të lajmeve plotësisht falas

Mos e humbisni mundësinë për t'u informuar për lajmet më të fundit dhe eksluzive, filloni tani abonimin tuaj falas me e-mail.

Welcome

Instalo aplikacionin tonë
×