Një 50-vjeçar është arrestuar në flagrancë në fshatin Dishat të Konispolit, pasi mbante të fshehur në banesë një armë automatike.
Operacioni policor i koduar “Dishat” u finalizua nga shërbimet e Komisariatit të Policisë Sarandë.
Gjatë kontrollit, policia sekuestroi një armë zjarri automatike dhe një karikator me 15 fishekë. Materialet hetimore i janë referuar Prokurorisë së Sarandës për veprime të mëtejshme.
Njoftimi i policisë:
Konispol, Sarandë/Finalizohet me sukses nga shërbimet e Komisariatit të Policisë Sarandë, operacioni policor i koduar “Dishat”, goditet një rast armëmbajtjeje pa leje.
Mbante fshehur në banesë armë zjarri automatike, arrestohet në flagrancë 50-vjeçari.
Sekuestrohen 1 armë zjarri automatike dhe 1 karikator me 15 fishekë.
Në vijim të punës së pandërprerë për evidentimin dhe goditjen e rasteve të armëmbajtjes pa leje, me qëllim parandalimin e ngjarjeve kriminale që mund të ndodhnin nga përdorimi i tyre, shërbimet e Komisariatit të Policisë Sarandë, konkretisht ato të stacionit të Policisë Konispol, bazuar në informacionet e siguruara në rrugë operative, organizuan dhe finalizuan me sukses operacionin policor të koduar “Dishat”.
Si rezultat i këtij operacioni, u arrestua në flagrancë shtetasi:
* Hadriatik Lame, 50 vjeç, banues në fshatin Dishat, Konispol.
Gjatë kontrollit të ushtruar në banesën e tij, shërbimet e Policisë gjetën dhe sekuestruan, në cilësinë e provës materiale, 1 armë zjarri automatike dhe 1 karikator me 15 fishekë.
Materialet procedurale iu referuan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Sarandë, për veprime të mëtejshme.
© BalkanWeb