Një 36-vjeçar është arrestuar në Durrës pasi refuzoi kontrollin e makinës dhe tentoi të korruptojë policinë me 50 euro për të shmangur testin e alkoolit.
Gjatë ndalimit, ai hodhi nga dritarja një cigare me lëndë narkotike të dyshuar kanabis. Shtetasi Agim Mansaku rezultoi se drejtonte automjetin nën efektin e alkoolit dhe dyshohet edhe nën ndikimin e drogës.
Materialet hetimore janë referuar në Prokurori për veprime të mëtejshme.
Njoftimi i policisë:
Policia Rrugore e Durrësit godet një tjetër rast të tentativës për mitëdhënie.
Shkon në 26 numri i drejtuesve të automjeteve të arrestuar e proceduar për mitëdhënie.
Drejtonte automjetin nën efektin e alkoolit dhe dyshohet edhe nën efektin e lëndëve narkotike, dhe tentoi të korruptonte punonjësit e Policisë për të shmangur testin e alkoolit dhe kontrollin e automjetit, pasi kishte me vete lëndë narkotike, vihet në pranga 36-vjeçari.
Shërbimet e Sektorit të Policisë Rrugore në DVP Durrës, gjatë monitorimeve me objektiv identifikimin dhe ndëshkimin e shkelësve të Kodit Rrugor, kryesisht të drejtimit të automjetit nën efektin e alkoolit apo në gjendje të dehur, kanë ndaluar për t’u nënshtruar testit të alkoolit shtetasin A.M., i cili drejtonte automjetin tip BMË.
Drejtuesi i automjetit, në momentin e dhënies së shenjës së ndalimit nga ana e punonjësve të Policisë Rrugore, ka hedhur nga dritarja një cigare me lëndë narkotike të dyshuar kanabis, e cila u sekuestrua në cilësinë e provës materiale.
Gjithashtu, shtetasi A.M. ka tentuar të korruptojë punonjësit e policisë duke u ofruar atyre shumën prej 50 eurosh, me qëllim që të shmangte testin e alkoolit dhe të mos shoqërohej në ambientet e policisë për lëndën narkotike.
Nga kryerja e testit të alkoolit rezultoi se ky shtetas drejtonte automjetin nën efektin e alkoolit dhe dyshohet edhe nën efektin e lëndëve narkotike. Në përfundim të veprimeve të kryera, në bashkëpunim me Specialistët për Hetimin e Narkotikëve në DVP Durrës, u bë arrestimi në flagrancë i shtetasit A.M., 36 vjeç, banues në Tiranë.
Materialet hetimore iu referuan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Durrës, për veprime të mëtejshme.
© BalkanWeb