Padyshim që koha është gjykatësi më i mirë i ngjarjeve dhe personaliteteve, të cilët me emrin dhe veprën e tyre kanë bërë histori në një epokë dhe vend të caktuar. Kjo e vërtetë e madhe qëndron edhe për heroin e shquar Avni Rustemi, që lindi plot 130 vite më parë, më 22 Shtator 1895 në Libohovë pranë Gjirokastrës.
Pikërisht kjo periudhë e gjatë me shumë të dhëna, me akte dhe fakte origjinale domethënëse e ka vendosur përfundimisht Avniun në podiumin e nderit të opozitës së parë demokratike me Fan Nolin, Bajram Currin, Luigj Gurakuqin, Halim Xhelon dhe atdhetarë të tjerë të mëdhej.
Ndërkohë, ky fakt është i konfirmuar me dokumenta dhe dëshmimtarë okularë si dhe nga shumë autorë, ekspertë dhe historianë të njohur, që vazhdojnë të hedhin dritë mbi aspekte të ndryshme të jetës dhe veprimtarisë revolucionare të Avni Rustemit.
Këtu shquhen me studime serioze historiani i ndjerë Jusuf Alibali, publicistët Ardian Ndreca, Ylli Polovina dhe në veçanti shkrimtari dhe intelektuali i njohur Skifter Këlliçi me shumë shkrime mbi të vërtetën, vlerat dhe virtytet fisnike të Avni Rustemit në shërbim të kombit dhe sidomos me romanin ” Atentat në Paris”( 1978) të ribotuar më 2011. Mbi bazën e atij romani të mbështetur në pohimet e xhaxhait të tij të ndjerë, Reshatit, shok i ngushtë me Avniun që ishte me të dhe në çastet fatkeqe të vrasjes dhe dokumentave origjinale arkivore, Pëllumb Kulla dhe Sheri Mita në vitin 1980 vunë në skenë me Teatrin e Fierit dramën me shumë jehonë ” Dy të shtëna në Paris”.
Ndërsa kohët e fundit, historiani i mirënjohur, Dr. Dorian Koçi, që shquhet për vërtetësi, qartësi, saktësi, guxim qytetar dhe intelektual në analizat e tij shteruese kërkon me të drejtë heqjen e baltës dhe shmangien e shtrembërimeve dashakeqe dhe deri te kriminalizimi, që disa sharlatanë dhe të shitur i kanë bërë figurës shumëplanëshe të heroit Avni Rustemi, sidomos pas viteve 90.
Në këtë rast, kam dy avantazhe: si diplomat me vite të tëra në Berlin, Bruksel dhe gjetkë, kam qenë i pranishëm dhe jam njohur me shumë procese, ceremoni dhe dokumenta që tregojnë gjykimin historik dhe politik por me frymë europiane të personaliteteve të ngjashme me Avni Rustemin, madje edhe kur vjen puna te ” sekretet ” e atentatit të tij historik, që vazhdon të mbetet ndër më të bujshmit.
Avantazhi tjetër që kam është se duke qenë nip Libohove, kam kaluar një pjesë të madhe të fëmijërisë dhe rinisë atje, në Kalista, ngjitur me lagjen Marinë, ku Avniu lindi dhe u rrit mes vështirësish dhe varfërisë ekstreme; në vitet 1962 – 1964 po në Libohovë bëra dhe dy klasë të fillores në shkollën 8 vjeçare ”Avni Rustemi”
Këtu më duhet të nënvizoj faktin që nëse për ndonjë tjetër, edhe ne fëmijtë mund dhe të jemi indoktrinuar deri në një farë mase nga ideologjia dhe propaganda e sistemit të kaluar, kjo nuk më duket se ka ndodhur me Avniun. Vështirë të gjesh ndonjë tepërim e ca më pak hiperbolizim të veprës dhe figurës së tij gjatë monizmit.
Në vend të ndonjë politizimi, propaganda reale për Avniun për ne fëmijtë dhe të rinjtë e asaj kohe dhe në Libohovë ishin fotot e tij në shkollë, busti i ngritur në qendër të qytetit, bisedat dhe kujtimet e gjyshit dhe bashkëkohësve të tjerë që e kishin njohur qysh në fëmijëri Avniun, mbasi kalonte çdo ditë aty te sokaku për të shkuar në shkollë.
Por, rastin për ta njohur më mirë dhe më të plotë personalitetin rrezatues të Avniut e pata më 22 Prill 1964, kur në Libohovë u përkujtua 40 vjetori i vrasjes së tij nga dora tradhëtare. Me atë rast u inaugurua dhe Muzeu i tij, i pasur me shumë foto, dokumenta të shumta dhe origjinale të njohura për publikun e gjerë, me pamje nga rinia e tij si student jashtë vendit, atentati i guximshëm dhe qëndrimi heroik aty para Hotel “Continental” në mes të Parisit më 13 Qershor 1920, paraqitja e tij e mençur dhe dinjitoze gjatë 6 muajve të hetimit dhe procesit gjyqësor në Paris, mikpritja e madhe pas kthimit në Atdhe, veprimtarinë e spikatur politike, luftarake dhe sociale, dhe së fundi ceremoninë e varrimit madhështor më 22 Prill 1924 në Tiranë, 47 orë pasi u plagos rëndë pabesisht dhe prapa krahëve nga një burravec, mullixhi në sarajet e Esatit që ia mbathi rrugicave, pasi Avniu si trim i paepur shtiu me revolver drejt tij, aty te sheshi në Tiranë që mban emrin dhe bustin e tij. Edhe pse patriotë si Mihal Grameno i kishin sugjeruar të mbante trup roje, Avniu nuk kishte pranuar, se nuk e njihte frikën.
Aty në Muze, krahas jetës së tij intelektuale, që studioi për pedagogji në Zvicër, në Kalabri dhe në Romë u mahnitëm nga reagimet e fuqishme të opinionit publik, medias së huaj dhe asaj shqiptare deri në Amerikë dhe sidomos të bashkëatdhetarëve tanë pas atentatit në Paris, gjatë dhe pas përfundimit të gjyqit ndaj tij dhe pritjes madhështore në Atdhe. Të gjithë bërtisnin fort pë pafajësinë dhe nderimin e tij për atë vepër patriotike shqiptare, duke ofruar dhe ndihma financiare. Dhe nuk ishin një e dy apo disa turma, por me mijra shqiptarë nga SHBA-të, Australia, Zvicra, nga gjithë bota.
Edhe gjyqin në Paris me drejtësinë e shquar franceze, Avniu e fitoi pa asnjë ndikim nga jashtë dhe nga dikush ” nga lart”. Ishte avokati brilant francez, por dhe Avniu me qëndrimin e tij të qetë dhe stoik, me dëshmimtarë, fakte dhe argumenta të forta, të cilat krijuan bindjen te gjykatësit dhe ata që ndoqen gjyqin se Avniu nuk ishte vrasës, ca më pak me pagesë, por një i ri 25 vjeçar trim, atdhetar dhe hero i vërtetë!
Aty në Muzeum pashë dhe më mbeti në kujtesë edhe pohimi i famshëm i Avniut se 13-ta për të nuk ishte numër ters por i mbarë. Sepse ”13 ditë kishte pritur në Paris, 13 ishte data e atentatit, 13 ishte ora ( 13:10) 13 vetë e shoqëronin Pashain kur doli nga Hoteli “Continental” në qendër të Parisit dhe 13 ishin gjyqtarët!
Pastaj fotot frymëzuese të pritjes madhështore pas kthimit të tij në Atdhe, nderimet nga patriotët tanë të shquar si Mihal Grameno, zgjedhja si deputet i Kosovës dhe deklarata e tij me atë rast, ”jam krenar që jam dhe Kosovar” dhe ngjarje të tjera.
Dhe populli, në jug e veri, brenda dhe jashtë vendit vazhdoi për vite t’i dedikonte këngë të shumta, natyrisht pa asnjë imponim nga lart, të cilat dhe ne fëmijtë i këndonim me shumë krenari: ”Në Paris vajte qëndrove, Esat Pashën e qëllove, të shtatat ja numërove”! Apo kënga tjetër «Libohova shumë e mirë, vet e kishte bukurinë, se kishte djalë Avninë” dhe shumë të tjera të cilat i këndojmë edhe sot! Dua ta theksoj se të gjitha këngët për Avniun janë krijuar përpara vitit 1945! Për Esatin, natyrisht që asgjë, se për çfarë t’i këndoje atij, për tradhëtinë e paparë?
U « ritakova » me Heroin 31 vite më vonë, më 20 shtator 1995, kur disa shokë dhe miq më ftuan dhe shkuam bashkë në Libohovë për të përkujtuar 90 vjetorin e lindjes së tij; kur komunizmi kishte rënë dhe kur mund të flitej mbarë e mbrapsht, siç dhe nuk kanë munguar të bëjnë disa të paudhë, dje dhe sot. Por për Avniun asgjë nuk ndryshoi, busti i tij përherë me lule aty në qendër, në Vlorë dhe Tiranë.
Avniu ishte dalluar qysh në moshë fare të re për aktivitetin e tij në ndihmë të Çetës legjendare të Çerçiz Topullit, në luftën kundër çetnikëve grekë, në krijimin e shoqatave atdhetare, etj. Gjithsesi patriotizmi dhe veprimtaria e tij aktive politike shkëlqeu nga viti 1920 deri në fund të jetës së tij revolucionare.
Shumë më tepër se aq, ka shumë fakte dhe referenca origjinale që tregojnë se Avniu ishte nismëtar i reformimit të vendit gjysmëfeudal; ai ka propozuar nisma jetike në fushën e arsimit, bujqësisë, kulturës, zhvillimin e shoqërisë, etj.
Që zëri i tij për ndryshim dhe reforma përparimtare të dëgjohej dhe më mirë dhetë mos mbetej vetëm retorikë, Avniu krijoi dhe udhëhoqi Shoqatën patriotike rinore ” Bashkimi” me djem të rinj idealistë; shpejt ata u bënë shpresa dhe flamurmbajtësit e mëdhenj të përparimit gradual të shoqërisë së atëhershme gjysëm feudale.
Mirëpo, kur vjen puna te bilanci dhe trashëgimia politike e Avniut, kritizerët dhe dashakeqët bëjnë sikur harrojnë se Avniut ia prenë jetën në mes, kur nuk kishte mbushur ende 29 vjet; ndaj nuk kishte si të realizonte ëndrat, planet dhe projektet e tij për një shoqëri moderne, pa shtypje feudale dhe diskriminim social.
Gjithashtu, vlen të rikujtojmë se në formimin e tij politik dhe ideologjik ndikuan kushtet dhe rrethanat historike madhore të asaj kohe, si përfundimi i Luftës së I Botërore, fitorja e Revolucionit të Tetorit, dalja në skenë e nazi-fashizmit, etj.
Edhe pse personalitetin e tij të shumëfishtë ndonjë dashakeqas ”në emër të së vërtetës” kërkon ta kufizojë vetëm te atentati i famshëm i datës 13 Qershor 1920, kur shtriu përtokë në mes të Parisit tradhëtarin Esat Pashë Toptani, pavarësisht nga jehona e tij ndërkombëtare dhe në Shqipëri, ai përbën vetëm një aspekt, dhe pse të ndritur të veprimtarisë së tij revolucionare.
Por dhe ai atentat nuk do trajtuar ”bardh e zi” e ca më keq të kthehet kokëposhtë e të cilësohet « vrasje me pagesë» ! Përkundrazi, ai do parë dhe analizuar në kushtet dhe rrethanat e asaj kohe. Natyrisht vrasja e kundërshtarëve politikë as dje dhe as sot nuk është e lejueshme. Mirëpo Esat Pasha i kishte kaluar me kohë sinoret e politikës, ai nuk ishte më kundërshtar apo eksponent politik, por ishte kthyer në një armik dhe tradhtar të vendit. Dhe kur ”ia bën borxh vendit” atëhere, siç thotë populli ”dhe plumbin e ke hak!”
Ka ndonjë që e qorton Avniun se bëri vetëgjyqësi duke vrarë Esat Pashën. Mirëpo fakti është se ai nuk e vrau Pashain për hakmarrje personale, as për një copë truall apo pronë, por sepse Esat Pasha rrezikonte fatet dhe mbijetesën e Atdheut! Pastaj, kush do ta gjykonte tradhëtinë e Esatit në Shqipëri, kur ai qëndronte në Paris! Ca më tepër, kur te ne dhe tani nuk ka besim te gjykatat, ndonëse kemi vite që po e reformojmë drejtësinë me ndihmën e SHBA-ve dhe të BE-së, e kush kishte besim te gjykatat e atëhershme? Ndaj akuza për vetëgjyqësi nuk ka këmbë ku të qëndrojë.
Autoritetin dhe popullaritetin e Avniut nuk mund ta cënojnë dhe errësojnë as disa episode të sajuara dhe të shtrembëruara. “Vrasës me pagesë” se kërkoi dhe mori para. Po, doemos, ai nuk mund të shkonte me duar në xhepa në Paris, e ca më tepër nuk mund ta justifikonte qëndrimin atje për të perfeksionuar demek frëngjishten, sepse nuk mund të pranonte se kishte bërë vrasje me paramendim!
Ndërkohë që merren shumë me Avniun si “vrasës me pagesë” pseudopatriotët tanë nuk thonë asnjë fjalë për pagesat e majme që qeveria serbe i kishte bërë Esat Pashë Toptanit, familjes dhe shoqëruesve të tij përpara dhe sidomos pas 13 Qershorit. Madje, ka dokumenta arkivore serbe të botuara dhe në median tonë që tregojnë shqetësimin e madh serb ditën e vrasjes dhe në vazhdim, kur me urdhëra dhe vendime të posaçme Toptanit, gruas dhe shoqëruesve të tij iu sigurua pension me 30.000 Franga ari, veç 120.000 franga ari të tjera si pagesa dhe për shlyerjen e borxheve. Vetë liderët serbë të asaj kohe kishin konfirmuar se pagesat ishin shpërblimi për veprimtarinë e tij tradhëtare në shërbim të Serbisë. Madje, dihet se disa javë përpara se të vritej, delegacioni serb bëri çmos që Esati të fliste në Konferencën e Paqes në Paris.
Kryeministri Nikolla Pashiq me homologun e tij francez u interesuan për “shërbimet” e Esatit ndaj Serbisë. Më konkretisht, Principata e tij, siç e njihte Serbia, shtrihej vetëm në Shqipërinë e Mesme, sepse gjithë zonat verilindore i pretendonte Serbia. Praktikisht, Esati ishte kthyer në vasal të Serbisë.
Këtu ia vlen të theksojmë se kufomën e tij e mbajtën 14 muaj në morg në Paris, sepse nuk dilte kush për ta tërhequr. Derisa më në fund e çuan te varrezat e ushtarëve serbë, ku dhe sot e kësaj dite, liderë dhe eksponentë politikë serbë shkojnë dhe i bëjnë homazhe shërbëtorit të tyre.
Të tjerë e mohojnë veprën e Avniut me mosdhënien e një vize nga Ambasada amerikane në Tiranë. Tani dihet si janë ambasadat e sidomos si funksiononin ato atëhere, por dhe sot në jo pak raste. Dihen tashmë përvojat negative pse jo dhe të të diplomacisë amerikane në këtë fushë! Ndaj, kursesi nuk mund të hidhet as më e vogla hije dyshimi mbi një personalitet mbarëkombëtar që ka lënë gjurmë të në histori me një veprim të një konsulli, qoftë dhe të një vendi mik.
Po, më 24 Janar 1924 Avniu propozoi 5 minuta heshtje në Parlamentin shqiptar ditën e vdekjes së Leninit, por këtë nuk e bëri nga pozitat e një ideologu majtist, por sepse atëhere mendohej ishte se i pari që denoncoi Traktatin e fshehtë të Londrës ishte Lenini. Megjithatë, me fjalën dhe autoritetin e tij të padiskutueshëm Avniu i ngriti të gjithë deputetët në këmbë, dhe vetë Kryeministrin Ahmet Zogu.
Në disa raste të tjera citohen kujtimet e Eqerem Bej Vlorës që dihet se kishte alergji pathologjike ndaj Avniut. Mirëpo kjo është lehtësisht e kuptueshme duke ditur pozitën e tyre krejt të kundërt dhe të papajtueshme klasore. Edhe pse për intelektin e tij, Eqerem Beut nuk i lejohej të shprehej në një nivel aq të ulët, duke tentuar të denigrojë dhe mohojë rolin, jehonën dhe simpatinë e gjerë popullore për Avni Rustemin. Por, siç dëshmojnë me fakte dhe autorët e lartpërmendur, me etiketimet e padenja ndaj Avniut, Eqerrem Vlora në fakt hodhi në tokë vlerat intelektuale të vehtes; ndërsa figura rrezatueseAvniut, djalit të Libohovës, Vlorës dhe gjithë Shqipërisë erdhi duke u lartësuar, duke u kthyer në një shembull dhe legjendë frymëzuese të djalërisë së vërtetë atdhedashëse shqiptare.
Dëshmia më brilante e popullaritetit unikal të Avniut u pa kur funerali i tij madhështor me mbi 15.000 pjesëmarrës në Tiranë dhe në Vlorë, bashkë me trishtimin dhe zemërimin popullor në çdo cep të vendit dhe jashtë tij u kthyen në një rebelim popullor që çoi në Revolucionin e Qershorit 1924. Pra dhe i vdekur, siç thonë, ai e mundi Zogun dhe oligarkinë feudale!
Se siç e thamë dhe më sipër, vrasja e Avniut nuk ishte thjesht hakmarrje personale apo familjare, por sinjali politik për asgjësimin e opozitës së atëhershme. Ndryshe, përse pas Avniut u vranë mizorisht një vit më vonë Bajram Curri, Luigj Gurakuqi, Hasan Prishtina e të tjerë?
Veç sa sipër, kritizerët dhe shpifarakët fshihen edhe më keq se struci, sepse nuk janë në gjendje t’i japin përgjigje pyetjes asgjënsuese për ta se si shpjegohet që në varrimin e Avniut në Vlorë më 1 Maj 1924 ishin të pranishëm dhe folën në nderim të tij 300 personalitete të shquara intelektuale, fetare dhe shpirtërore të vendit?
Midis atyre folësve elitarë, krahas Fan Nolit, ishte Baba Ali Tomorri, udhëheqësi shpirtëror emblematik i Bektashinjve dhe Lazër Shantoja në emër të komunitetit katolik. Një fjalë plot pathos mbajti dhe Ali Bej Këlcyra, intelektuali dhe shtetari 24 karat. Por Ali Bej Këlcyra ishte bazhanak me Eqerrem Bej Vlorën dhe familjarë të tyre tregojnë se ata grindeshin shpesh për për Avniun.
Më tej, si ka mundësi që disa të tjerë që demek “bëjnë be dhe rrufe” për të vërtetën nuk e përmendin asnjëherë faktin madhor se aty mbajti aty një prej fjalimeve të tij më të mira edhe Imzot At Gjergj Fishta. Me oratorinë e tij proverbiale, Fishta i bëri një homazh të ndjerë dhe i ngriti monumentin Avni Rustemit, si mishërim i atdhedashurisë, idealit dhe përkushtimit të tij të paepur. Mjafton të lexosh fragmentet e mëposhtëme nga ai fjalim perlë, siç e kanë cilësuar, dhe bindesh lehtë për sa u tha më lart:
“Atdhedashnija, po, kjè njajo, që ia hangri kryet ktij djalit të mjer të martirizuem. I pat dalë, të ngratit, zani, se ky po e donte Shqipninë, edhè e donte me gjith mend e me gjith zemër e me gjith fuqî të shpirtit të vet, se për Shqipni jo gjaja, pse ksaj kurr s’i ka pasë lakmue, por s’i dhimbej jeta, të cilës s’i lakmonte për tjetër, veç për me i shërbye Shqipnis e me i u ba flî Atdheut.
Oh! Po të mos ta kishte dashtë ky djalë Shqipnin, sod nuk do të kishin shkrehë burrat e dheut prej shkambit të Pejës e deri në kulm të Kepit të Stiloz, për me derdhë lot mbi varrë të tij të pashërueshme. Avni Rustemi kjè burrë, kjè trim, kjè besnik, kjè zemër bujar e Shqipninë e desht me gjith fuqinë e shpirtit të vet, prandej’ u la në gjak, prandej vdiq, shkoj, mbaroj.
Mbaroj thashë? Më paska pasë rrshitë goja pahiri; pse Avni Rustemi s’ ka mbarue. Edhè aj jeton ndër né, edhè ka për të jetue dèri sa në ndo’i skaj sado të vogël të Shqipnis ku të ndihet tue kumbue e ambla gjuha jonë shqiptare. Burri i mirë s’des kurr”!
Për fat të keq, fjalimet e tyre nuk u bënë të njohura gjatë monizmit, sepse të katër ata njerëz të mëdhenj u linçuan nga diktatura përpara dhe pas vdekjes së tyre.
Kësisoj, natyrshëm lind pyetja: atëhere, përse duhet t’i besojmë Eqerrem Bej Vlorës, kur Avniun e përjetësuan “titanët” e vërtetë të kombit Gjergj Fishta, epiku i “Lahutës së Malësisë”, Baba Ali Tomorri i shenjtë dhe “burrit të shtetit” Ali Bej Këlcyra? Përgjigja nuk do shumë mend për t’u dhënë. Sepse me gjithë respektin për Eqerrem bej Vlorën si njeri i ditur, elitar dhe diplomat, ai ishte dhe mbetet shumë i vogël qopftë dhe si intelektual përpara madhështisë së Fishtës, Baba Ali Tomorrit, Ali Bej Këlcyrës dhe kujtimit të ndritur të Avni Rustemit, simbole të atdhedashurisë dhe shpresës për një Shqipëri të re!
© BalkanWeb