Juventus nuk mundi dot të shkojë më shumë se sa barazimi 1-1 në transfertën ndaj Veronës. Pas 3 fitoreve radhazi në 3 javët e para, vjen ndalesa për bardhezinjtë e Igor Tudor. Ndeshja nisi në mënyrë perfektë për miqtë që realizuan me Coincecao që në minutën e 19, me portugezin që lëvizi mjaft bukur nga e djathta drejt qendrës dhe me një goditje rrafsh me tokën çoi Juventusin në avantazh. Megjithatë veronezët do të gjenin barazimin në fundin e pjesës së parë, teksa Orban ekzekuton saktë një penallti, të kontestuar së tepërmi nga juventinët, me kroatin Tudor që e konsideroi si të turpshëm vendimin e gjyqtarit kryesor.
Verona zhvilloi një pjesë të dytë të mirë, madje gjeti edhe golin e avantazhit në të 68 minutë, por goli u anulua nga VAR për një pozicion të parregullt. Përfundimisht Juventus duhet të knaqet me 1 pikë, që e mban në krye me 10 pikë, në pritje të ndeshjes së Napolit që do të luajë të hënën.
“Frenon Juve” shkruan e përditshmja italiane “Corriere dello Sport” pas barazimit të bardhezinjve ndaj Veronës, ndërsa Tuttosport është më e ashpër teksa ndalet në komentin e teknikut Tudor për gjykimin: “Ky është një turp”.
Ndalet Juve, por në krahun tjetërr Milan konfirmon forcën e tij. Pas humbjes në javën e parë ndaj Cremoneses, kuqezinjtë duket se janë futur në shinat e duhura teksa ndaj Udineses fitojnë 0-3 në transfertë, duke marrë fitoren e 3 radhazi në kampionat, e treta pa pësuar asnjë gol. Kuqezinjtë duket se dalëngadalë po marrin tipare e ideve dhe lojës që imponon skuadrave të tyre tekniku Max Allegri. Ndaj friulianëve vendimtar ishte amerikani Christian Pulisiç që shënoi një dopietë, ndërsa në mes të golave të tij shënoi edhe Fofana pas një gabimi trashanik në mbrojtje nga Karlstrom.
Milan ngjitet në vendin e 4, pas këtij suksesi me 9 pikë. “Milani numri 1” shkruan ditën e sotme e përditshmja prestigjoze “La Gazzetta dello Sport”.
© BalkanWeb