Një 42-vjeçar është arrestuar nga Policia e Tiranës, pasi vodhi një automjet me qëllim shitjen për skrap.
Ngjarja ndodhi në rrugën “Niko Avrami”, ku automjeti u vodh dhe më pas u gjet në një pikë skrapi. Në pranga ra autori i dyshuar, ndërsa pronari i pikës së skrapit u procedua penalisht.
Automjeti u sekuestrua si provë dhe materialet iu referuan Prokurorisë.
Njoftimi i policisë:
Vodhi një automjet në rrugën “Niko Avrami”, me qëllim shitjen e tij për skrap, vihet në pranga 42-vjeçari.
Procedohet penalisht pronari i pikës së skrapit.
Gjendet dhe sekuestrohet, në cilësinë e provës materiale, automjeti i vjedhur.
Specialistët për Hetimin e Krimeve të Komisariatit të Policisë Nr. 4, pas marrjes së njoftimit se në rrugën “Niko Avrami” ishte vjedhur një automjet, menjëherë organizuan punën me qëllim zbardhjen dhe dokumentimin e rastit.
Si rezultat i një pune të mirëorganizuar, u kap dhe arrestua në flagrancë shtetasi A. A., 42 vjeç, banues në Tiranë. Ky shtetas, ditën e djeshme, në rrugën “Niko Avrami”, ka vjedhur automjetin në pronësi të shtetasit E. A., dhe më pas e ka dërguar në një pikë skrapi, me qëllim shitjen e tij. Në vijim të veprimeve, u referuan materialet në Prokurori, ku nisi procedimi në gjendje të lirë për shtetasin B. Gj., 38 vjeç, pasi gjatë kontrollit në pikën e skrapit, në pronësi të tij, u gjet dhe u sekuestrua automjeti i vjedhur.
Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë, për veprime të mëtejshme.
© BalkanWeb