Prej dy ditësh,fshati Bulçar në Njësinë Administrative Kodovjat, Bashkia Gramsh, është përfshirë nga një vatër masive zjarri, një ndër më të mëdhatë për muajin Shtator në qarkun e Elbasanit.
Flakët kanë përfshirë një sipërfaqe të konsiderueshme pyjore, duke rikthyer skena të ngjashme me ato të muajit Gusht 2025 , kur qindra hektarë pyje u dogjën dhe pati pasoja të rënda .Zjarri më i fundit në këtë zonë u shfaq në orët e para të mëngjesit të së shtunës dhe megjithëse një pjesë e tij është izoluar, situata mbetet ende alarmante. Terreni i thyer malor dhe era e fortë kanë vështirësuar ndërhyrjen nga toka, ndërsa në ndihmë të forcave zjarrfikëse janë përfshirë helikopterë, të cilët po operojnë për të frenuar përhapjen e flakëve drejt zonave të banuara dhe sipërfaqeve me rëndësi ekonomike.
Sipas Ilir Llapushit, Shef i Shërbimit të Mbrojtjes nga Zjarri dhe Shpëtimit në Bashkinë Gramsh, forcat zjarrfikëse, punonjës të bashkisë dhe vullnetarë kanë punuar pandërprerë gjatë gjithë fundjavës, por kushtet atmosferike dhe terreni i vështirë kanë bërë që përpjekjet për shuarjen e plotë të jenë tepër sfiduese. “Zjarri është përhapur me shpejtësi për shkak të erës së fortë dhe temperaturave të larta. Ka qenë shumë i vështirë për t’u kontrolluar. Aktualisht jemi ende në operacione intensive për të shmangur përhapjen në zona të tjera të rrezikuara,” deklaroi mëngjesin e të dielës Llapushi.
Zjarri aktual në Bulçar vjen vetëm pak javë pas katastrofës së gushtit, ku sipas të dhënave zyrtare nga Bashkia e Gramshit dhe strukturat emergjente më shumë se 620 hektarë pyje dhe kullota u dogjën në zona të ndryshme të bashkisë. U dëmtuan qindra rrënjë ullinj dhe pemë frutore. U dogjën 7 stane dhe objekte bujqësore. U dogjën dhjetëra krerë bagëti të imta dhe të trasha.U kërcënuan disa banesa dhe fshatra të tëra, duke detyruar evakuimin e përkohshëm të disa familjeve në zonën e Kodovjatit dhe Lenies.
Fatkeqësisht, shumë prej këtyre dëmeve mbeten ende të pa kompensuara, ndërkohë që rreziku përsëritet pa masa konkrete parandaluese. Autoritetet vendore kanë përsëritur apel për ndërhyrje emergjente nga qeveria qendrore, si dhe për hartimin e një strategjie kombëtare të mbrojtjes nga zjarret, që të përfshijë, rritje të kapaciteteve zjarrfikëse në zonat malore, investime në logjistikë, mjete dhe trajnime për reagim të shpejtë, edukim publik mbi rrezikun e zjarreve në periudha të thata,forcim të ndëshkimeve për zjarrvënien e qëllimshme apo nga pakujdesia. Pasojat e zjarreve po bëhen çdo vit e më të rënda, jo vetëm për mjedisin dhe ekonominë lokale, por edhe për sigurinë e qytetarëve. Ngjarja në Bulçar është një tjetër alarm për të mos qëndruar më në pritje të katastrofave, por për të vepruar.
© BalkanWeb