Deputeti i Partisë Demokratike, Agron Gjekmarkaj, ka reaguar ashpër ndaj mazhorancës pas daljes nga Konferenca e Kryetarëve, duke akuzuar shumicën se po minon funksionimin demokratik të Parlamentit dhe po përjashton në mënyrë sistematike opozitën nga proceset vendimmarrëse.
Sipas Gjekmarkajt, opozita është vendosur nën një presion të vazhdueshëm përmes zhbërjes së komisioneve parlamentare, reduktimit të hapësirës për debat dhe dënimeve që ai i cilësoi si “absurde”. Ai u ndal edhe te zhvillimi i seancës së dytë parlamentare, ku sipas tij, kryeministri u paraqit me një qëndrim provokues, me synimin për të shmangur debatin dhe transparencën, duke mos prezantuar ministrat e rinj dhe duke mos lejuar diskutime që do t’i jepnin qytetarëve dhe trupit diplomatik një pasqyrë më të qartë të qeverisë.
“Në këtë kontekst, kërkova përsëritjen e seancës plenare, thirrjen e Komisionit të Legjislacionit për të shqyrtuar mundësinë e një mocioni ndaj z. Peleshi, si dhe anulimin e dënimeve të padrejta ndaj deputetëve të opozitës,” u shpreh Gjekmarkaj para gazetarëve.
Ai paralajmëroi se opozita do t’i drejtohet Gjykatës Kushtetuese, ndërsa theksoi se ende nuk është marrë një vendim për të propozuar emrat për komisionet parlamentare. “Ne do të shfrytëzojmë çdo hapësirë që jep Parlamenti për të komunikuar të vërtetën e Shqipërisë dhe për t’u përballur me këtë mazhorancë arrogante që synon të çojë opozitën në qoshe,” deklaroi Gjekmarkaj.
© BalkanWeb