Presidenti Begaj në OKB: Barazia gjinore, thelbësore për zhvillimin e qëndrueshëm

Nju Jork, 22 Shtator 2025 — Presidenti i Republikës së Shqipërisë, Bajram Begaj, mori pjesë sot në Takimin e Nivelit të Lartë të Asamblesë së Përgjithshme të Kombeve të Bashkuara, organizuar në kuadër të 30-vjetorit të Konferencës së Katërt Botërore për Gratë.

Në fjalën e tij, Presidenti Begaj theksoi progresin e bërë nga Shqipëria në fushën e barazisë gjinore, përfshirjen e grave në jetën publike dhe ekonomike, si dhe angazhimet konkrete për të ardhmen, përfshirë eliminimin e dhunës ndaj grave dhe buxhetimin e ndjeshëm gjinor.

Ai riafirmoi mbështetjen e plotë të Shqipërisë për Deklaratën e Pekinit, Agjendën 2030 dhe të gjitha instrumentet ndërkombëtare për të drejtat e njeriut.

DEKLARATË

Zonja Presidente,

Të nderuar Shkëlqesi,

Është kënaqësi e veçantë të jem i pranishëm në përkujtimin e 30-vjetorit të Konferencës së Pekinit, një platformë e rëndësishme në përpjekjet globale për barazinë gjinore dhe fuqizimin e grave dhe vajzave. Kjo ditë është një mundësi për të rinovuar angazhimin tonë kolektiv dhe për të dhënë një shtysë të re për zbatimin e plotë të Deklaratës dhe Platformës së Veprimit të Pekinit.

Kemi bërë hapa të rëndësishëm për të siguruar pjesëmarrjen e grave në jetën politike, ekonomike dhe shoqërore. Megjithatë, me vetëm pesë vite që na ndajnë nga realizimi i Objektivave të Zhvillimit të Qëndrueshëm, progresi në barazinë gjinore ka ngecur, e në disa fusha ka regres. Ne duhet ta kthejmë këtë prirje. Ky takim duhet të shërbejë si një pikë kthese, duke kaluar nga retorika në veprim. Duhet të mobilizojmë burime financiare të mjaftueshme, të forcojmë kuadrot e llogaridhënies dhe të investojmë në veprime matshme dhe transformuese.

Shqipëria është e gatshme të ndajë përvojën e saj. Gjatë dekadës së fundit kemi ndërmarrë reforma të rëndësishme ligjore, institucionale dhe shoqërore në promovimin e barazisë gjinore. Shqipëria ka mbyllur hendekun gjinor në arsim, ka forcuar pjesëmarrjen ekonomike të grave dhe ka investuar në përfshirjen digjitale dhe sipërmarrjen për gratë dhe vajzat. Këto reforma janë hartuar në konsultim me shoqërinë civile dhe të rinjtë, duke e bërë barazinë gjinore një element të rëndësishëm të shoqërisë sonë.

Për ne, barazia gjinore është thelbësore për zhvillimin e qëndrueshëm, kohezionin shoqëror dhe begatinë e përbashkët. Shqipëria ka marrë dy angazhime prioritare në kuadër të Agjendës së Veprimit Beijing+30: së pari, intensifikimin e përpjekjeve për eliminimin e dhunës ndaj grave dhe, së dyti, zgjerimin e aplikimit të Buxhetimit të Ndjeshëm ndaj Gjinive. Zonja dhe zotërinj,

Në një kohë kur konfliktet dhe krizat po shumohen, bota ka nevojë më shumë se kurrë për lidershipin dhe kontributin e grave. Roli i tyre është thelbësor në ndërtimin e paqes, në parandalimin e konflikteve dhe në krijimin e shoqërive më gjithëpërfshirëse dhe më elastike.

Shqipëria riafirmon angazhimin e saj të plotë ndaj Deklaratës së Pekinit dhe Platformës së Veprimit, ndaj Agjendës 2030 dhe instrumenteve ndërkombëtare të të drejtave të njeriut.

© BalkanWeb


Arena e Lajmit

Ju mund të regjistroheni në buletinin tonë të lajmeve plotësisht falas

Mos e humbisni mundësinë për t'u informuar për lajmet më të fundit dhe eksluzive, filloni tani abonimin tuaj falas me e-mail.

Welcome

Instalo aplikacionin tonë
×